Është momenti i spritnit final për operacionin “Erling Haaland”. Sulmuesi 21-vjeçar norvegjez duhet të vendosë se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pasi në përfundimin të edicionit aktual do t’i thotë lamtumirë Borussias së Dortmundit.
Në këtë kuadër, Barcelona vazhdon të punojë në mënyrë diskrete, duke përdorur të gjitha truket e mundshme për ta fituar këtë garë të merkatos. Rivalët e Barçës janë të frikshëm, si Manchester City, që thuajse e bindi sulmuesin nordik, apo Reali i Madridit, që gjithashtu është në lojë për shërbimet e futbollistit verdhezi, me dëshirën për të formuar një dyshe të frikshme me Mbappenë. Nuk është pas as Bayerni, që e sheh si pasuesin ideal i Lewandowskit.
Fakti është se Barça nuk ka dalë hapur për blerjen e Haalandit, sespe drejtuesit “blaugrana” e dinë mirë se nga ana ekonomike nuk janë klubi më i fortë. Megjithatë, Barcelona ka një armë të fuqishme: faktin që vetë trajneri Xavi ia ka shpjeguar ballë për ballë Haalandit projektin e tij gjatë një udhëtimi në Mynih. Sulmuesi gjithashtu ka mbetur i mahnitur nga Barça në fitoren 0-4 në “El Clasico”. Ai kuptoi që gjithçka i kishte shpjeguar Xavi nuk ishte thjesht për ta bindur dhe as një premtim i rremë.
Haalandit i pëlqen projekti i Xavit, ai madje ka dyshime për nënshkrimin me City-n. Në këtë skenar, Barça i ka dërguar Mino Raiolës një mesazh duke e sqaruar se është ende e interesuar për nënshkrimin me norvegjezin. Problemi i madh është se Raiola dhe babai i golashënuesit duan një komision të shtrenjtë, që Barça po studion si do të mund ta ofrojë, sepse nuk është e lehtë./SS