Drejtues të spitaleve të Sllovenisë që kanë marrëveshje bashkëpunimi me Spitalin e Prizrenit kanë shprehur gatishmërinë që praktikat e mira perëndimore të kujdesit shëndetësor t’i ndajnë me mjekët kosovarë, teksa Spitali i Prizrenit synon që me këto shkëmbime t’i përmirësojë shërbimet për pacientët
Spitali i përgjithshëm në Prizren synon avancimin profesional të personelit të vet shëndetësor, si dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore që ofron për pacientët në saje të bashkëpunimit me spitalet e Sllovenisë.
Menaxhmenti i këtij spitali, të enjten pasdite, ka pritur drejtuesit e spitaleve të Murska Sobotës dhe të Izolas për ta vijuar bashkëpunimin e nisur vite më parë.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Murska Sobotës, Daniel Grabar ka theksuar se ai dhe stafi janë të gatshëm që praktikat e mira në menaxhim dhe në ofrimin e shërbimeve mjekësore spitalore t’i bartin te kolegët kosovarë. Sipas tij, mjekët, por edhe profilet e tjera do t’i vizitojnë spitalet në Slloveni për të parë mënyrën e punës dhe të udhëheqjes.
“Qëllimi ynë është që të vendosim themele të menaxhimit të mirë në spital, që t’i ofrojmë praktikat e mira nga Sllovenia dhe që në fushën e cilësisë dhe të sigurisë së pacientëve të vazhdojmë atë që tashmë e kemi nisur në mënyrë që praktikat e mira shëndetësore nga perëndimi t’i sjellim edhe në Kosovë”, ka thënë Grabar.
Hasan Arzoallxhiu, drejtues aktual i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, ka theksuar se në bashkëpunim me kolegët sllovenë dhe Odën e Mjekëve të Kosovës po institucionalizohet trajnimi i mjekëve, gjë që, sipas tij, do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve që ofrohen në Spitalin e Prizrenit.
“Ne kemi pajisje, por do të kemi edhe pajisje të tjera të cilat do të vijnë nga donatorët tanë dhe në këtë mënyrë na mbetet vetëm që t’i nxisim mjekët tanë që ta përmirësojnë veten në aspektin profesional dhe të kenë mundësi që t’i implementojnë këto metoda të reja dhe dijen që do ta përfitojnë gjatë vizitës së tyre në spitalet në Slloveni, në mënyrë që shërbimet që do t’i jepen pacientëve tanë do të jenë në nivel shumë më të lartë sesa deri më tani”, ka thënë Arzoallxhiu.
Spitali i Prizrenit nga viti 2018 ka marrëveshje bashkëpunimi me spitalet në Slloveni me qëllim të ngritjes së vazhdueshme profesionale të stafit të vet drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët nga rajoni i Prizrenit e më gjerë./Koha