Spitali i Prizrenit ka pezulluar operacionet e planifikuara (elektive) për shkak të mungesës së “Fentanil”-it, ilaç që përdoret kryesisht si qetësues dhimbjesh (analgjezik).
Ndërkaq, operacionet urgjente po kryhen me sasinë e vogël të “Fentanil”-it, i cili është produkt medicinal shumë herë më i fortë sesa heroina e morfina.
“Duke pasur parasysh faktin se nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) jemi furnizuar me sasi të nevojshme për të kryer rastet urgjente, operacionet elektive për momentin janë shtyrë deri në furnizimin e rregullt me ‘Fentanil’” – tha drejtoria e Spitalit.
Vështirësi në furnizim me “Fentantil” kanë edhe Spitali i Ferizajt dhe ai i Gjilanit, por jo aq sa të pamundësohet kryerja e operacioneve.Ndërsa, Spitalet në Mitrovicë, Gjakovë dhe Vushtrri thanë se janë mjaftueshëm të furnizuara.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Spitalin e Ferizajt, Fikret Arifi, tha se kanë pasur problem me furnizim afatgjatë me “Fentanil”, por momentalisht kanë pasi që janë furnizuar gjatë ditëve të fundit.
“Dje janë marrë 100 ‘Fentanil’. Kështu po na i japin 100, 150, 200, varësisht qysh kanë kapacitet. Ky problem i ‘Fentanil’-it kish qenë edhe në vitin e kaluar” – tha Arifi.Edhe udhëheqësi i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini, tha se kanë këtë vështirësi, por megjithatë janë furnizuar në sasi të vogla.
“Kemi vështirësi me furnizim me ‘Fentanil’, por deri tash në sasi të vogla na kanë furnizu. Deri tash nuk i kemi ndalë (operacionet).
50-100 ampulla na kanë furnizu kohëve të fundit, kur mendojshim që dojmë me mbet krejt” – tha ai.
Ndryshe nga këto, Spitali i Vushtrrisë përveç se ka mjaftueshëm për vete, ka ndihmuar edhe Spitalin e Prizrenit dhe SHSKUK-në me furnizim, sipas drejtoreshës së Spitalit, Shefkije Shatri.
Pezullimi i operacioneve të planifikuara kishte çuar në shkarkimin e ish-drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, gjatë verës së kaluar.
Zarari kishte vendosur që të ndërprejë punën në sallat operative sa i përket programit të planifikuar “për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë”.
/KALLXO.Com/