Të martën, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se gjatë këtij viti në Spitalin e Prizrenit pritet të ofrohen shërbimi i rezonancës magnetike dhe shërbime jo të plota të onkologjisë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar nga zv/ministri, Arsim Berisha, dhe Narqize Arenliu – Hoxhaj, ushtruese të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës –ShSKUK, kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, ku janë pritur nga drejtuesit e këtij institucioni.
Ministri Vitia, njoftoi se gjatë muajve shtator- tetor, qytetarët do të kenë mundësi që rezonancën magnetike ta kryejnë në këtë spital, dhe më nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë për në Prishtinë ose të shkojnë për këtë shërbim në institucionet private.
Ky njoftim i ministrit Vitia, është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga u. d drejtorit të spitalit të Prizrenit, Hasan Arzoallxhiu, pasi nevojat për shërbime të rezonancës magnetike janë tejet të mëdha.
Gjithashtu, ministri Vitia, ka njoftuar se gjatë këtij viti në spitalin e Prizrenit pritet të fillon edhe ofrimi i shërbimeve të pjesërishme të onkologjisë.
Ministri Vitia para drejtuesve të institucionit shëndetësor në Prizren, u shpreh i gatshëm që të merr parasysh kërkesa të tyre për funksionim sa më të suksesshëm të këtij spitali me shërbime të duhura për pacientët./TvPz