Reagime të shumta ka ngjallur aktgjykimi dënues i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”. Kanë reaguar drejtuesit e partive politike e anëtarë të kabinetit të Qeverisë Kurti. Këtë vendim nuk e ka komentuar fare LDK-ja
Të padrejtë për luftën e UÇK-së e ka konsideruar spektri politik në Kosovë dënimin e shqiptuar ndaj njërit nga ish-eprorët e UÇK-së, Salih Mustafa-Cali. Në shkallë të parë Mustafa është dënuar me 26 vjet burg për krime lufte.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar nëpërmjet një komunikate. Ky subjekt politik ka thënë që presin që shkalla e dytë ta lirojë Mustafën pasi, sipas tij, që nuk ka prova për përfshije direkte të tij në krime lufte.
“Lëvizja VETËVENDOSJE dhe subjektet opozitare asokohe ishin të vetmet subjekte politike që nuk e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale”, ka thënë VV-ja.
Edhe liderët e PDK-së e AAK-së kanë kundërshtuar këtë vendim.
Memli Krasniqi, ka thënë se pjesëtaret e UÇK-së që po mbahen në Hagë janë pjesë e krenarisë kombëtare.
“Dënimi i sotëm i Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxit indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, është shprehur Krasniqi.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë që beson fuqishëm në pastërtinë e UÇK-së.
“Dënimi sotëm i Sali Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë dhe rasti i tij në një shkallë tjetër shpresoj ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi!” ka thënë Haradinaj.
Për dënimin në shkallë të parë të Mustafës kanë reaguar edhe dy shefat e grupeve parlamentare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Qëndrimi i Vetëvendosjes në raport me Gjykatën është tashmë i ditur. Është konsideruar si vendim i gabueshëm, VV nuk e ka mbështetur këtë vendim, fatkeqësisht ka qenë grupi i vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur dhe s’ka mundur ta ndalë. Tash pjesën tjetër janë pasojat e një veprimi i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Kështu që pasojat po i bartin të tjetër dhe do t’i bartë edhe vendi”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila e VV-së.
“Ky vendim duhet të apelohet dhe drejtësia të dalë në pah. ‘Cali’ dhe gjithë bashkëluftëtarët tjerë kanë bërë një luftë të drejtë. Për mua dhe gjithë shqiptarët, ky vendim është i paargumentuar. Jam i bindur se drejtësia për Mustafën do të rezultojë që ai do të fitojë në apelim. Ky vendim është absurd”, ka shtuar Besnik Tahiri i AAK-së.
Kundërshtime ndaj këtij dënimi kanë shprehur edhe pjesëtarë të kabinetit të Qeverisë Kurti, ministrat Liburn Aliu e Armend Mehaj.
Salih Mustafa është ish-pjesëtari i parë i UÇK-së, i dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë.