Gjykata Speciale i ka kërkuar shtetit të Kosovës të krijojë një mekanizëm për zhdëmtim, me qëllim që të kompensohen plotësisht viktimat e krimeve të luftës, për të cilat do të vendosë kjo gjykatë.
Pas vendimit që viktimat në rastin e Salih Mustafës të dëmshpërblehen me mbi 200 mijë euro, trupi gjykues ka dhënë vërejtje në ligjin e Kosovës për të trajtuar dëmet dhe lëndimet e pësuara në kontekst të luftës.
“Trupi gjykues vuri re që Kosova nuk ndërmori asnjë hap për t’u përgatitur për nevojën për të mundësuar zhdëmtimin e viktimave të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Kosova parashikoi nevojën ta mbështetë mbrojtjen e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së. Vërejti se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e luftës në Kosovë, u referohet viktimave të forcave të armikut dhe jo të gjitha viktimave. Për mendimin e trupit gjykues, këto ligje krijuan diskriminim mes viktimave të kësaj lufte. Është e rëndësishme t’i kujtojë Kosovës detyrimet e saj në lidhje me të drejtat e viktimave për mjet juridik efektiv. Trupi gjykues i bëri thirrje Kosovës të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë mekanizëm për zhdëmtim me qëllim kompensimin e plotë të viktimave të krimeve. Trupi gjykues nënvizoi se në krijimin e një mekanizmi për zhdëmtim duhet shqyrtuar mundësia e financimit të tij përmes buxhetit të Kosovës, meqë mbrojtja e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së financohet përmes atij buxheti. Trupi gjykues vlerëson se një përdorim i barabartë i buxhetit do të promovonte mandatin e DHSK-së”, ka thënë trupi gjykues të enjten.
Kjo gjykatë ka rekomanduar fondin për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, “në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet që i ka ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme përmes krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim”.
“Fondi duhet të mbështetet financiarisht para se gjithash nga Kosova dhe shtetet donatorë të tjerë që dëshirojnë të ofrojnë mbështetje viktimave”, ka thënë trupi gjykues.
Në dhjetor të vitit të kaluar Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte që sipas vendimit kanë ndodhur në kompleksin në Zllash në vitin 1999. Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim si dënim i njësuar. Dëmshpërblimin do ta marrin 8 viktima.