Spalletti: Spanja, Kroacia dhe Shqipëria nuk janë të lumtura që “peshkuan” Italinë

0
234

Në shortin për Euro 2024 të hedhur në Hamburg të Gjermanisë më datë dy dhjetor, Shqipëria u shortua në Grupin B, aty ku është edhe Spanja, Italia e Koracia. Një grup që është konsideruar si “grupi i ferrit”, ku së bashku me kuqezinjtë janë edhe tre prej kombëtareve më të forta dhe më me shumë eksperiencë të Europës.

Tekniku i Italisë, Luciano Spalletti komentoi sërish mbi shortin e Europianit duke theksuar se asnjë prej kundërshtarëve të grupit nuk është i lumtur që do të përballet me axurrët.

“E dinim mirë që kishte mundësi të larta të ishim në grup me kundërshtarë të vështirë. Për fat të keq ndodhi ashtu siç e parashikuam, e vetmja mundësi për të kaluar grupin është të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Gjithsesi, unë jam i bindur se Spanja, Kroacia dhe Shqipëria nuk janë të lumtura që do të përballen me Italinë.

Lojtarët që do të grumbulloj? Do të përzgjidhen me shumë kujdes në bazë të cilësive teknike, por edhe morale. Në kombëtare dua lojtarë që e kuptojnë vërtet peshën e fanellës dhe që e nderojnë atë si një objekt të shenjtë. Duhet të tregojnë dëshirën dhe entuziazmin për t’u bërë pjesë e historisë së kombëtares”, tha Spalletti.

Kujtojmë se Italia do ta luajë ndeshjen hapëse të Euro 2024 pikërisht ndaj Shqipërisë më datë 15 qershor në Dortmund të Gjermanisë në orën 21:00./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here