Sipas mediave italiane, Juventusi është në kërkim të një sulmuesi qendre me fizik të fortë dhe për këtë arsye ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e sulmuesit të Napolit, Lorenzo Lucca.
Paralelisht, klubi bardhezi ka angazhuar skautët për të vëzhguar nga afër edhe sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, në ndeshjet e fundit.
Afrimi i një sulmuesi të ri konsiderohet objektivi kryesor i trajnerit Luciano Spalletti për merkaton e janarit.
Ndërkohë, Dusan Vlahovic vijon të jetë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi afatgjatë, ndërsa Jonathan David dhe Lois Openda nuk kanë arritur të bindin plotësisht kur janë përdorur në rolin e sulmuesit kryesor.
Juventus është lidhur gjithashtu me një rikthim sensacional të Federico Chiesa, vetëm 18 muaj pas largimit të tij nga klubi, por raportet e fundit tregojnë se klubi po kërkon edhe një sulmues më fizik dhe dominues në qendër të sulmit.
Lorenzo Lucca aktualisht nuk po gjen hapësira te Napoli, dhe kjo situatë pritet të mos përmirësohet pas rikthimit të Romelu Lukaku në formë të plotë. Sulmuesi ishte sjellë fillimisht si zëvendësues i belgut, por pas dëmtimit afatgjatë të Lukaku gjatë verës, Napoli solli edhe Rasmus Hojlund, duke i reduktuar mundësitë e Lucca.
Kjo situatë bën që ai të mund të jetë i gatshëm për një largim nga Napoli vetëm pak muaj pasi ishte huazuar me detyrim blerjeje për një shumë rreth 35 milionë euro. Për momentin, marrëveshja është përshkruar si një “mundësi” për Juventusin, jo si një opsion i konfirmuar.
Ndërkohë, raportimet nga Tuttosport tregojnë se Juventusi ka dërguar skautë për të vëzhguar Jean-Philippe Mateta të Crystal Palace. Klubi italian ishte interesuar për sulmuesin francez edhe gjatë afatit të verës, por u ndalua nga çmimi i lartë i tij, rreth 40 milionë euro.
Sipas Calciomercato, çmimi i Mateta mund të bjerë në 20-25 milionë euro, pasi kontrata e tij skadon në verën e vitit 2027 dhe aktualisht ai nuk duket i interesuar ta rinovojë me Crystal Palace. Kjo e bën sulmuesin një mundësi tërheqëse për Juventusin për afatin e dimrit.














































