Spalleti s’i kursen kritikat ndaj Zhegrovës

0
78

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, nuk i ka kursyer kritikat ndaj Edon Zhegrovës, pas humbjes së papritur që “Zonja e Vjetër” pësoi të shtunën në udhëtim ndaj Cagliarit.

Juventusi u mposht 1:0 në kuadër të xhiros së 21-të të Serie A, duke pësuar humbjen e parë në vitin 2026. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 65-të, ndërsa menjëherë pas tij trajneri Spalletti reagoi me zëvendësime në repartin ofensiv.

Edon Zhegrova u aktivizua në minutën e 66-të, por nuk arriti të ndikojë në lojën e Juventusit, çka solli edhe kritika nga trajneri dhe nga media italiane.

Sipas gazetës “Tuttosport”, Spalletti ka shprehur pakënaqësi për paraqitjen e Zhegrovës dhe të Francisco Conceiçaos, duke vlerësuar se ata nuk qëndruan në pozicionet ku mund të ishin më të rrezikshëm.

“Në pjesën e dytë aktivizuam të gjithë lojtarët ofensivë që kishim në dispozicion, por ndikimi nuk ishte ai që pritej. Conceiçao dhe Zhegrova u tërhoqën nga zonat vendimtare. Duhet të jemi më të saktë në role dhe pozicione për të krijuar më shumë rrezik”, ka deklaruar Spalletti, duke shtuar se skuadrës i mungoi vendosmëria për të shfrytëzuar momentet kyçe.

Ai theksoi se, pavarësisht humbjes, Juventusi e mbajti ritmin e lojës dhe kontrolloi kundërshtarin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara.

Zhegrova ka zhvilluar deri më tani dhjetë ndeshje në Serie A dhe vazhdon të jetë në pritje të golit ose asistimit të parë, duke u aktivizuar kryesisht si zëvendësues.

“Tuttosport” e ka vlerësuar futbollistin e Kombëtares së Kosovës me notën 5, duke shkruar se ai është “lojtar që mund ta ndryshojë ritmin e ndeshjes, por që shpesh përfundon në një rol neutral, me paqartësi në lojë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here