Pas betimit, deputetët dështuan ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Kosovës, pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e mjaftueshme.
Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet sot në orën 15:00. Megjithëse nuk i siguroi votat e mjaftueshme, Albulena Haxhiu ka deklaruar se edhe në seancën e së hënës do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Edhe deputeti, Ilir Kërçeli ka thënë se Albulena Haxhiu do të mbetet propozimi i vetëm i LVV-së për kryetare të Kuvendit.
PDK, LDK e AAK, refuzuan ta mbështesin, duke e quajtur votën të drejtë ekskluzive, por jo obligative.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ndonëse propozimi për postin i takon partisë me më së shumti mandate, askush nuk është i obliguar ta votojë atë.
E Lidhja Demokratike e Kosovës kritikoi dështimin për zgjedhjen e kryeparlamentares si pasojë e “pazareve politike dhe shkeljeve procedurale”, duke nënvizuar se Vetëvendosje “nuk i ka numrat për formim të institucioneve”.
Kurse, Nisma Socialdemokrate, përmes kryetarit Fatmir Limaj, tha se me konstituimin e Kuvendit, është hapur rruga për formim të institucioneve dhe se pjesa e mbetur pritet të përmbyllet shumë shpejt.
Shoqëria civile vlerësoi se dështimi në zgjedhjen e kryeparlamentarit është pasojë e mungesës së vullnetit për kompromis politik.
Ata theksuan se barra për të siguruar një zgjidhje bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekti më i madh në Kuvend.