Pavarësisht 45 tentimeve pa sukses, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot për të provuar konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Të premten, Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka vazhduar të insistojë për votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, nuk kanë paraqitur asnjë propozim për anëtarët e Komisionit për votimin e fshehtë.
Kur u kërkuan propozime nga deputetët e partive të opozitës, ata nuk kanë hezituar të akuzojnë Kryesuesin, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës.
“Sot është hera e 45-të që Kryesuesi është duke e shkelur Kushtetutën. Kjo është e papranueshme,” ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, para se fjala e tij të ndërpritej nga Kryesuesi Dehari.
Nga ana tjetër, Ekrem Hyseni i LDK-së ka propozuar që të kthehen në rendin e ditës, por edhe fjala e tij është ndërprerë nga Dehari.
Ndërkohë, Time Kadriaj nga AAK e cilësoi këtë situatë si një bllokadë të qëllimshme, ndërsa fjala e saj u ndal gjithashtu.
Dehari ka deklaruar se “nuk ka vend për debat” dhe se seanca është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë, ndërsa votimi nuk ka kaluar.
Deputetët do të mblidhen në ora 11:00.