Sot në 23 vjetorin e vrasjes së tij përkujtohet ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha, i njohur me nofkën “Drini”.
Ekrem Rexha, ish- komandant Drini, u lind më 14.8.1961 në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në Prizren. Më 1967 regjistrohet në gjimnazin ushtarak në Beograd. Akademinë ushtarake-gjinia këmbësorisë e mbaron më 1984 në Sarajevë.
Më 1988 ka regjistruar studimet e magjistraturës në shkencat politike-drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në Sarajevë ka vijuar disa kurse për mësimin e gjuhëve të huaja. Ekrem Rexha ka zotëruar mirë 7 gjuhë të huaja, në mesin e tyre anglishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten etj. Në vitin 1992 ka marrë urdhër të shkojë në frontet e luftës në Dalmaci.
Në mars të vitit 1993 kthehet në Prizren, çmobilizohet dhe nuk kthehet më në radhët e ish-APJ-së. Pas fillimit të luftës, në shkurt të vitit 1998, Ekrem Rexha niset për të shkuar në Sarajevë, për t’i rregulluar disa punë private dhe për të rënë në kontakt me oficerët shqiptarë e më pas për të ardhur në luftë në Kosovë. Në Zvirnik arrestohet nga policia serbe, gjoja se ka qenë i akuzuar për armëmbajtje pa leje.
Në uzhicë dënohet me dy vjet burgim, por lëshohet të mbrohet në liri. Pas dy-tri javëve kthehet në Prizren. Në muajin maj 1998 bie në kontakt me njësitin e UÇK-së së Kabashit.
Në qershor 1998 emërohet komandant i Shtabit të Vërrinit, në të cilin bashkëpuntor të ngushtë gjatë tërë luftës e ka pasur Selim Krasniqin, kryetar aktual i Asociacionit të Veteranëve të UÇK-së në Prizren. Më 7 shtator 1998 shkon në Shqipëri, ku merr pjesë aktive në riorganizimin dhe stërvitjen e ushtarëve të UÇK-së.
Më 14 dhjetor 1998 kthehet në Kosovë dhe me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së emërohet komandant i Zonës Operative të Pashtrikut në Kasterc e Noshor të Suharekës. Në mars të vititi 1999, po ashtu me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shkarkohet nga detyra e Komandantit të ZOP dhe emërohet drejtor i Shkollës Ushtarake dhe i Doktrinës së UÇK-së deri në çmobilizim.
Vrasja e Ekrem Rexhës-komandant Drinit, ka ndodhur, më 8 maj 2000, në orët e para të mëngjesit duke mbetur përherë si njëra ndër figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të UÇK-së.