Sot në Shkup protestohet për krerët e UÇK që janë në Hagë, ish-luftëtarëve iu bëhet thirrje të mos shkojnë, mund të arrestohen

0
55

Sot do të protestohet në Shkup kundër gjykimit në Hagë, ish-luftëtarëve të UÇK-së iu bëhet thirrje të mos shkojnë se e rrezikojnë arrestimin

Sot në Shkup do të mbahet protesta e thirrur nga OVL-UÇK në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Protesta pritet të nisë nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Ajo është përkrahur nga shumë figura politike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.

Ai ka theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, duke shtuar se pjesëmarrja është një akt përgjegjësie për nderimin e sakrificës dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.

“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.

Ndërkaq, nga Prishtina mbështetje i dha edhe kryetari Përparim Rama, i cili tha se pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi ngre zërin për drejtësi.

“Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që nesër protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare. Si kryetar i kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të jem gjithmonë krah bashkëkombësve të mi. Forca jonë si popull qëndron te uniteti, respekti dhe mirënjohja”, ka shkruar Rama.

Derisa thirrjet po bëhen që të ketë sa më shumë protestues, një thirrje për të mos marrë pjesë iu shkoi ish-ushtarëve të UÇK-së për shkak të rrezikimit të arrestimit nga autoritetet maqedonase.

Gazmend Syla nga OVL-UÇK  tha se pjesëmarrja e tyre paraqet rrezik serioz për arrestim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marrë atë rrugë, sepse nuk kemi garancë. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, tha Syla dje./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here