Sot në kryeqytet do të protestohet kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë për shtrenjtim të rrymës.
Protesta do të mbahet nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kjo protestë ka dy kërkesa: të mos aprovohet bllok tarifa e propozuar nga ZRrE-ja dhe të nacionalizohet KEDS-i.
Njoftimi i plotë:
Të dashur/a qytetarë/e të Kosovës,
Ftoheni të merrni pjesë në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë më datën 26 janar 2022 nga ora 12:00 në Prishtinë.
Me 28 janar 2022 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët/et që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë 600 kWh.
Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit/ës prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.
Përveç që i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.
KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve/eve të Kosovës.
Këto shantazhe, ne qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in.Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mlidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të rradhës ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore:
1.Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja;
2. Nacionalizimi i KEDS-it