Sot mbahet provimi i maturës shtetërore, këto janë rregullat që duhet t’iu përmbahen nxënësit

0
78

Sot, më 21 qershor 2025, me fillim nga ora 10:00, në të gjitha komunat e vendit do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), e cila ka njoftuar se në këtë proces do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga e gjithë Kosova.

MAShTI dje bëri të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një proces të qetë, korrekt dhe transparent. Për këtë qëllim, janë angazhuar trupa mbikëqyrëse, ekspertë të IT-së dhe ekipe lëvizëse, të cilat do të monitorojnë vazhdimisht rrjedhën e testimit në të gjitha qendrat.

Në njoftimin zyrtar, MAShTI i bën thirrje të gjithë maturantëve që të respektojnë rregullat e përcaktuara, duke theksuar ndalimin e përdorimit të telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike brenda qendrave të testimit. “Ata që do të tentojnë të hyjnë me pajisje të tilla nuk do të lejohen të marrin pjesë në provim”, thuhet në njoftim.

Ministria ka sqaruar gjithashtu se hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00, dhe pas këtij orari nuk do të lejohet hyrja e asnjë personi të paautorizuar deri në përfundimin e testit.

“Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore,” ka theksuar MAShTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025. Në fund të njoftimit, MAShTI ka uruar të gjithë maturantët për suksese në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here