Sot në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të fillojë procesi mësimor 2025/2026. Ndërkohë ka vazhduar procesi për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se procesi i aplikimit mbetet i hapur, me qëllim që të sigurohet përfshirja e të gjithë nxënësve.
Në një deklaratë për RTK-në, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se gjithçka është gati për një proces të mbarë mësimor.
“Si Ministri e Arsimit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e mbarë të vitit shkollor, dhe raportimet nga komunat tregojnë se punët po ecin mirë”, tha ajo.
Ministrja Nagavci shtoi se tashmë janë kryer edhe pagesat e para për subvencionimin e teksteve shkollore.
“Sa i përket furnizimit me tekste dhe mjete mësimore, janë mbi 180 mijë prindër apo kujdestarë të cilët kanë aplikuar. Deri tani është realizuar pagesa e mbi 70% të tyre, apo më shumë se 9 milionë euro”, tha ajo.