21-vjetorin e sulmeve të përgjakshme terroriste në New York, e përkujtojnë të dielën jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mbarë bota.
Sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator të vitit 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Si pasojë e këtij sulmi, rreth tre mijë persona kanë humbur jetën.
Në mesin e viktimave ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica prej viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.
Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.
Ekspertët vlerësojnë se 11 Shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë kundër terrorizmit të udhëhequr nga SHBA-ja.