Ndryshimi i trajnerëve te Beshiktashi sjell edhe ndryshimin e situatës së Ernest Muçit në klubin e njohur turk.
Futbollisti ishte në dyshim për të qëndruar apo jo në radhët e klubit të qytetit të Stambollit, me shitjen apo huazimin e tij në janar.
Por me ardhjen e Ole Gunar Solskjaer, gjithçka ka ndryshuar.
Ish-trajneri i Manchester Unitedit ishte në tribunë si spektator në ndeshjen e kësaj fundjave që Beshiktashi luajti ndaj Samsunspor.
Në barazimin 0-0, Muçi ishte ndër më të mirët në fushë, edhe pse u aktivizua vetëm në minutën e 59-të, teksa krijoi disa raste para portës, por pa ia dalë të tundte rrjetën.
Megjithatë, këto 30 minuta të sulmuesit shqiptar i kanë mjaftuar Solskjaer për të marrë një vendim rreth tij.
Sipas mediave turke, Solskjaer ka vendosur veton për qëndrimin e Muçit në radhët e skuadrës së tij.
Bëhet e ditur se ai u ka bërë të qartë drejtuesve se dëshiron të ketë Muçin në dispozicion në pjesën e mbetur të sezonit e vetëm më pas të merret një vendim për futbollistin shqiptar.
Solskjaer e sheh si një alternativë të rëndësishme për fazën ofensive të ekipit e pse jo, një kandidat shumë të fortë për formacionin titullar.