Ole Gunnar Solskjaer pritet të zhvillojë bisedime ballë për ballë me drejtuesit e Manchester United këtë të shtunë, në lidhje me postin e trajnerit të përkohshëm të ekipit për pjesën e mbetur të sezonit.
“Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një zgjidhjeje afatshkurtër pas vendimit për t’i dhënë fund aventurës së Ruben Amorim, i cili u shkarkua të hënën pas një periudhe zhgënjyese 14-mujore në krye të skuadrës.
Fillimisht, në listën e kandidatëve janë përmendur Ruud van Nistelrooy dhe trajneri aktual i përkohshëm Darren Fletcher, por sipas burimeve pranë klubit, Ole Gunnar Solskjaer dhe Michael Carrick janë shndërruar në favoritët kryesorë për këtë rol.
Carrick, i cili ka qenë pjesë e stafit të Solskjaer në të kaluarën dhe ka drejtuar përkohësisht skuadrën pas largimit të norvegjezit, ka zhvilluar tashmë një takim me drejtuesit e klubit më herët gjatë javës. Ndërkohë, Solskjaer pritet të takohet të shtunën me drejtorin sportiv Jason Wilcox dhe shefin ekzekutiv Omar Berrada, për të diskutuar detajet e mundshme të rikthimit, pas kontakteve paraprake që janë zhvilluar.
Heroi i tripletës historike të vitit 1999 nuk është i panjohur për role emergjente në “Old Trafford”. Ai mori drejtimin e ekipit në dhjetor të vitit 2018, pas shkarkimit të një tjetër trajneri portugez, Jose Mourinho, dhe më pas u emërua trajner i përhershëm në mars 2019.
Gjatë mandatit të tij, United përfundoi i dyti në Premier League në sezonin 2020/21 dhe arriti finalen e Europa League po atë vit, para se Solskjaer të shkarkohej në nëntor 2021.
Manchester United do të presë Brighton të dielën në raundin e tretë të FA Cup, përpara derbit të madh të Premier League kundër Manchester City javën e ardhshme në “Old Trafford”, ndeshje që mund të zhvillohen nën drejtimin e një trajneri të ri të përkohshëm./Express














































