“S’mund të bëhen anëtare para se të finalizohet marrëveshja”, a do të ketë rezultat përpjekja e fundit e Lajçak në dialog

0
91

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’ia zgjatur mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Por, a do të ketë rezultat përpjekja e fundit e Lajçakut në këtë proces që prodhoi pak rezultate?

Në muajin maj në Bruksel nuk u diskutua për përfundimin e mandatit të Miroslav Lajçakut dhe në qershor ai erdhi në rajon për të treguar se ka punë për të bërë deri në janar të vitit të ardhshëm.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, që po synon ta marrë këtë pozitë, deklaroi se nuk e di se çfarë ndodhi në Bruksel që e la diplomatin sllovak të merret edhe më tej me dialogun.

Pahor ka shprehur hapur synimin e tij për ta pasuar Lajçakun në detyrën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi, duke marrë së pari mbështetjen brenda vendit të tij.

Lajçakut iu vazhdua mandati për dialogun, por Pahor tha se diçka ndryshoi në Bruksel, nuk i di të gjitha arsyet

Pahor tha se mbetet i gatshëm për t’u emëruar në pozitën e të dërguarit për dialogun, por tha se do ta kishte më të lehtë “nëse procesi i përzgjedhjes do të bëhej në maj”.

Pasi për fundin e mandatit të Lajçak nuk u diskutua në maj, por përkundrazi, ai muajin pasues erdhi në Kosovë e Serbi nga ku njoftoi se do të mbetet në këtë pozitë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithëse mandati i tij i rregullt përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, ai tha se i është kërkuar që të mbajë edhe pak pozitën që ka dhe se ka shumë punë për të bërë deri sa të largohet përfundimisht.

Vizita në Prishtinë, e më pas edhe në Beograd, ai tha se kishte të bënte “me mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.

Diplomati sllovak tha se ai është personi përgjegjës që do ta bëjë vlerësimin për përparimin në dialog, nga e cila gjë do të varet ndarja e mjeteve nga Plani i Rritjes për Kosovën dhe Serbinë. Për këtë arsye, Lajçak tha se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të ndërmerren.

Lajçak thotë se as Kosova dhe as Serbia s’mund të bëhen anëtare të BE-së përpara se të finalizohet marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Ai së fundmi është shprehur i bindur se “përfundimisht Asociacioni do të themelohet”, duke shtuar se “Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar”.

Ndërsa mandati i tij i ndërmjetësit po i afrohej fundit, Miroslav Lajçak ishte shprehur i zhgënjyer dhe aspak optimist për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill.

Ai thoshte se nuk besonte se këto dy vende janë të gatshme për këtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here