Siria shteti i 120-të që njeh Kosovën – reagojnë udhëheqësit e Kosovës e Shqipërisë

0
86

Siria është bërë shteti i 120-të që e ka njohur Kosovën si shtet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të mërkurën në Riad është arritur marrëveshja nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës, si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka shtuar se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Sipas saj, kjo njohje e ndërsjellë nuk është vetëm njohje e sovranitetit shtetëror, por edhe e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Osmani theksoi se tani Kosova njihet nga 120 shtete. “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!”, ka shkruar ajo.

Njohja është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Sirisë.

“Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe vendimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të postuar në rrjetin social X. 

Tutje, Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka shkruar në “X” për njohjen e Kosovës nga Siria.

Kryediplomati sirian tha se njohja u bë nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë.

“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka thënë ai.

Këtë vit, Kosova është njohur edhe nga dy shtete të tjera. Shteti i Sudanit ka qenë vendi i 119-të që e ka njohur Kosovën, ndërsa njohja u konfirmua në prill gjatë takimit të ministrit të Jashtëm të këtij shteti me presidenten Osmani.

Vendimi ishte bërë publik në kohën kur Serbia, që vazhdimisht bën fushatë kundër njohjeve të Kosovës, kishte paralajmëruar aktivitete për të shënuar “jubileun historik” të raporteve Serbi–Sudan.

Kenian gjithashtu njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në fillim të këtij viti, dhe me njohjen nga Siria tashmë janë bërë tri njohje brenda vitit 2025.

Para këtyre dy shteteve afrikane dhe Sirisë, Kosovën që nga viti 2021 nuk e kishte njohur asnjë shtet tjetër. Në atë vit, shtetësinë e Kosovës e njohu Izraeli, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në kuadër të asaj që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.

Kosova vazhdimisht përballet me fushatën e Serbisë për çnjohje, ndonëse në bazë të planit franko-gjerman – i cili nuk u nënshkrua, por u pranua edhe nga shteti serb – parashihet që Serbia të mos e pengojë Kosovën në asnjë proces anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, kjo nuk është zbatuar asnjëherë.

Ndaj kësaj njohje, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sirisë tani do të jenë edhe më të forta.

“Kosova tani njihet zyrtarisht nga 120 shtete, ndërsa Siria iu bashkua listës së shteteve që e njohin. Shprehim mirënjohje ndaj presidentes Vjosa Osmani për përpjekjet e saj të suksesshme dhe të gjithë atyre që janë përfshirë. Presim forcimin e lidhjeve tona ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri dhe kyç në historinë e tij”, ka shkruar Kurti në X.

Kështu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas njohjes së Kosovës nga Siria ka thënë se çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai ka shprehur mirënjohje “për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces”.

“Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, njohjen e Kosovës nga Siria e ka quajtur lajm që tregon se bashkëpunimi me miq e aleatë sjell rezultate.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se e vlerëson punën e presidentes Osmani për këtë sukses.

“Njohja e Kosovës nga Siria është lajm që tregon se bashkëpunimi i ngushtë me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme. Vlerësoj punën e Presidentes në këtë sukses për afirmimin e shtetit tonë, duke u bërë kështu 120 shtete që e njohin Kosovën që nga pavarësia e saj. Kemi shumë punë përpara, mirëpo Kosova është këtu për të qëndruar me botën demokratike, në një frymë me aleancat tona”, ka shkruar Haradinaj.

Begaj falënderon të gjithë ata që mundësuan njohjen e Kosovës nga Siria

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Siria. Përmes një shkrimi në Facebook, Begaj ka falënderuar të gjithë ata që e mundësuan këtë njohje.

“Republika Arabe e Sirisë njohu sot zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan. Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje!”, ka shkruar Begaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here