Sindroma e Sjögrenit është një sëmundje kronike autoimune që, ndonëse pak e njohur për publikun e gjerë, prek mbi 100,000 njerëz në Spanjë. Sipas Shoqatës Spanjolle të Sjögrenit (AES), kjo gjendje prek kryesisht gratë mbi 40 vjeç dhe përbën një sfidë serioze për diagnozë dhe trajtim.
E zbuluar për herë të parë në vitin 1933 nga oftalmologu suedez Henrik Sjögren, sëmundja është bërë objekt i kërkimeve të shumta mjekësore, por ende mbetet pjesërisht e pakuptuar. Si shumë sëmundje autoimune, edhe Sjögren është rezultat i një reagimi të gabuar të sistemit imunitar, i cili sulmon qelizat dhe indet e veta.
Shenjat më të zakonshme të sindromës përfshijnë:
Sy të thatë: Ndjesi djegieje, kruarje apo sikur të ketë rërë në sy.
Gojë e thatë: Vështirësi në të folur, përtypje dhe gëlltitje, shpesh me ndjesinë sikur goja është mbushur me pambuk.
Por simptomat nuk ndalen këtu. Tek pacientët mund të shfaqen gjithashtu:
1.Inflamacion i gjëndrave të pështymës, sidomos nën nofull dhe përpara veshëve.
2.Artralgji (dhimbje nyjesh), ngurtësim ose ënjtje.
3.Lëkurë e thatë ose e skuqur.
4.Kollë e thatë kronike.
5.Tharje vaginale.
6.Lodhje e vazhdueshme dhe dobësi të përgjithshme.
Megjithëse shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar një shkak të vetëm për këtë sindromë, besohet se faktorët gjenetikë, hormonalë dhe mjedisorë luajnë një rol të rëndësishëm. Një infeksion viral ose bakterial mund të jetë “shkaktari” që nxit sëmundjen tek individët me predispozitë gjenetike.
Sindroma zakonisht prek gjëndrat që prodhojnë lot dhe pështymë, por në forma më të avancuara mund të përfshijë edhe organet e brendshme si veshkat, mëlçinë, tiroide, mushkëritë, lëkurën dhe sistemin nervor.
Gratë mbi moshën 40 vjeç janë grupi më i prekur. Gjithashtu, njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tjera autoimune si artriti reumatoid ose lupusi kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sindromën e Sjögrenit.
Ndër komplikimet më të zakonshme janë problemet në gojë dhe sy. Mungesa e pështymës rrit ndjeshëm rrezikun për karies dentar dhe infeksione të tilla si kandidiaza orale. Ndërkohë, syri i thatë mund të çojë në fotosensibilitet, dëmtim të kornesë dhe turbullim të shikimit.
Klinika Universitare e Navarrës thekson se, edhe pse prognoza për shumicën e pacientëve është e favorshme, disa raste përkeqësohen ndjeshëm, sidomos kur sëmundja përfshin organet vitale.
Diagnostikimi i sindromës së Sjögrenit është shpesh i vonuar, për shkak të ngjashmërisë së simptomave me sëmundje të tjera si menopauza, depresioni ose sindroma e lodhjes kronike. Shoqata Spanjolle e Sjögrenit apelon për ndërgjegjësim më të madh dhe trajnime të posaçme për profesionistët e shëndetit, në mënyrë që diagnoza të bëhet më herët dhe trajtimi të jetë më efektiv.