E drejta e Qeverisë populliste dhe të vetmjaftueshme (që përdor popullin, e nuk i shërben atij) është përplasur me të drejtën elementare të kërkimit të lumturisë, (katër liritë e Franklin D. Roosevelt)
Pra të një page të dinjitetshme për mësuesit (që shumë nga ta janë edhe prindër) të cilët u shpallën nga pushteti si llymi i shoqërisë.
Katër Liritë, Liria e fjalës Liria e besimit, Liria nga mungesa (e drejta me pasë) dhe Liria nga frika ishin synime të artikuluara nga Presidenti i SHBA Franklin D. Roosevelt, një të hëne, më 6 janar 1941.
Në fjalimin e njohur si Fjalimi i Katër Lirive, ai propozoi katër liri themelore që duhet t’i gëzojnë njerëzit kudo në botë.
Kurse një të hëne, me 3 tetor, 2022 nxënësit e Kosovës nisin shkollën (pas pezullimit të grevës) dhe përballë do të kenë mësuesit “armiq të shtetit”, abalfabetët dhe shantazhuesit, ngase të tillë i shpalli pushteti.
Fëmijtë gjatë këtij muaji kanë marrë “lekcione” të bollshme nga qeveritarët dhe servilët e tyre të mediave të pushtetit, sa që ata nuk do të kenë më respekt për mësuesit e tyre!?
Jeta do të vazhdojë me një marrëdhënie të ftohtë dhe të sikletshme në trekëndëshin nxënës-mësues-prind!?
Sepse me gjasë, nxënësi kosovar, duhet të përgatitet për Republikën e Tretë – albiniste – ku tutje nuk funksionojnë skemat tradicionale të empatisë, solidaritetit, mëshirës, respektit të ndërsjelltë, sepse kombi tashmë ndahet në kombin e PAN-it dhe të VV-së!?
A po propogandohet ‘Njeriu i ri’ pa këto cilësi që i përshkruhën “regjimit të vjetër”.
Në anën tjetër, po ngritet një armatë servilësh të medias e OJQ-ve, që racionalizojnë budallallëkun e pushtetit, për të marrë në këmbim poste publike nga ky pushtet, të cilin e përceptojnë jetëgjatë, Jetonat e dejonat, rronët e agronët, ferret e elvisët, fadilët, agimët, shkëlzenët, Sadri-azemët, veliat e valitë,…
Të tillët shfrytëzuan grevës për t’i hipur në qafë kësaj shoqërie, ndonëse ata vetë, ose nuk kanë fare fëmijë në shkollë, ose i kanë në shkolla private e jashtë shtetit.
Si Kryeministri i tyre.
Janë turrë kundër mësuesve të gjithë ata që aksidenti zgjedhor i nxori në sipërfaqe, siç qet vërshima llymin që fsheh lumi: mediokër e injorantë agresivë, opurtunistë e propagatorë të islamit politik, që nëse nuk heshtin si peshku, marrin anën e të fortit, në të gjitha situatat, tipa vegjetativë e pa kujtesë institucionale, karaktere difuze e mendjemëdhenj, që të vetmen gjë që e dijnë është mësymja e poshtërimit të tjetrit/tjetrës në publik, duke paragjykuar, bullizuar, rrejtë e ngjitë fjalë, atyre që i shohin si konkurrues, që i projektojnë si zaptues të hapësirës publike, ku ata mund të shpreheshin, po të përjashtoheshin ata 49% të kombit të ish regjimit!?
Porse, vetëm ndaluni dhe ua shihni rezultatet.
Janë të pazotët për me ua bë ndonjë hajr këtij Atdheu, sëkëndejmi, matës i vetëm i suksesit të tyre është sa larg pështyjnë!
Por ata, trurin muskul e nxjerrin në turmë dhe afër liderit, ku mund të marrin atë që nuk e marrin dot me meritokraci.
Jetët e tyre janë bosh.
Ata duhet të bien në sy tek lideri suprem, i cili lexon çdo gjë në rrjetet sociale, e sidomos ata që edhe veprimet ma hutaçe e debile ia racionalizojnë, si psh. ato këshillat infantile për izolimin e shtëpive të një minstreje që është ngjitur lartë në spiralen e paaftësisë, duke marrë shembuj që nga Singapori për dënimin e atyre që nuk e lëshojnë ujin në WC. Vërtet Kosova, më së keqi sa i përket infrastrukturës është me WC-të e shkollave, spitaleve dhe institucioneve publike, (edhe në ndërtesën e Qeverisë vjen era shurrë), porse t’u kërkosh njerëzve me të cilët qeverisë, të bëjnë izolimin e shtëpive (që kushton 10-20 mijë €) e t’ua mohosh të drejtën rooseveltiane për lumturi, është retorikë baglash.
Të ngrish qykën e të thuash se “nuk kam ardhur në pushtet për ngritjën e pagave por për drejtësi dhe punësim”, është fjali korrumptive.
Ashiqare asaj që në teori njihet si Kakistikraci, po is zë vendin Modernkracia, për të cilën Alexander Pope shkruan: “Për format e qeverisjes le të luftojnë budallenjtë. Çfarëdo që administrohet më mirë është më e mira.”
Qe dmth. ma zi s’ka ku shkon!
Kjo logjikë e atyre që përbëjnë trupin zgjedhor në Kosovë, e ka fuqizuar Kurtin në pushtet.
Adnan Mustafa ka qenë një intelektual (farmacist me profesion) jo opurtun i Prishtinës në vitet ‘90 dhe njihet për maksimën e tij të sertë: “Shqiptari gjën krushq edhe po ta martonte të ëmën”!
Pra, secila budallaki e pushtetit mbulohet me zhurmë për 20-vjet shkatërrim e hajni, arsyetohet, nëse nuk mjaftojnë argumentet e brendshme, në ndihmë thirret fantazma e luftës, kriza globale energjetike (Kosova kurrë nuk është ndërvarur nga gasi rus), kursimi i saj në Zvicër, Gjermani. Lufta në Ukrainë. “Dialogu me fqinjin agresiv verior” e broçkulla të ngjashme!
Qeveria Kurti ka probleme me gjumin si metaforë dhe ndërgjegjen e papastër. Njëri nuk fle gjumë i thelluar në gjetjën e shpëtimit për ‘popullin e Noas’, tjetrën s’e merr gjumi për zbardhjën e ndonjë krimi selektive, ndonëse kjo u përket organeve të zbatimit të ligjit e jo politikanëve, e një i tretë mërzitet për faktin se mercenarët, në vend të UÇK-së, do t’i kushtonin Kosovës më lirë!!!
Në këtë budallaki ka sistem.
Budallenjtë janë tipa socialë. Ata marrin mijëra vota në vendin e njerëzve me kujtesë të retarduar, (të shkurtë) që u jep mundësi atyre që i pandeh siç janë vet, ‘fullirantë’!
Por, vdektarët e rëndomtë nuk e njohin, sepse nuk duan ta njohim metodën e qeverimit me turmat.
Ky është shteti i paketuar nga iluzionisti paranoik Albin Kurti si Republikë e Tretë, Deus absconditus.
Zoti i fshehur.
Ky është profili i Kryeministrit, sipas adhuruesve të tij, por qytetarët, në kërkim të lumturisë, që duan paga të dinjitetshme, nuk e njohin thelbin e tij.
Liderin shpëtimtar, që ua kanë sjellur Perënditë.
Qytetaria rëndom është jomirënjohëse, nuk i do krekosjet, kultin, fanfaret.
Frazat po(li)etike!
Lideri, nuk vëhet në dyshim, ndalohet kritika, mosbesimi, mosbindja, sepse “jam në bisedime me fqinjin agresiv verior”, prandaj grevat e sindikatave të mësuesve e shërbimit civil cilësohen shantazh!
Shantazhi është përpjekje e një pale për përfitim në këmbim të mos zbulimit të informacioneve komprometuese ose dëmtuese për palën tjetër.
Po çfarë informacionesh fshihnin sindikatat?
Është për të qeshur po të mos ishte tragjike.
Por të kalojmë në temë.
Çfarë mësimesh mund të nxjerrë Sindikata (SBAShK-u) e çfarë Qeveria?
Nuk e kam me ata emrat e përveçëm, që tash mendojnë se prezantojnë mendësinë e avansuar të pushtetit të ri, as me militantët që janë veç se vegla qorre të pushtetit dhe duan poshtërimin e tjetrit/tjetrës. E kam me qytetarinë që mendon. Me elitat.
Sëpari, po e zëmë se greva ishte shantazh i sindikatave kundër Qeverisë ose për rrëximin e saj, cili entitet duhet të menaxhojë dhe zgjidh krizën (e shantazhit)?
Gjykatat.
Por duke qenë se shteti obligohet që të sigurojë mirëqenie për të gjithë
femijët, e nëse ndaj tyre është kryer një krim, kush duhet të marrë barrën e denoncimit dhe ndëshkimit të atij krimi?
Prokuroria.
Dhe e dini se në demokracitë kushtetuese mësyhet ideali i barazisë për të gjithë në interesin më të mirë, jo vetëm të fmijëve, por në këtë sens, edhe në interesin më të mirë të prindërve e mësuesëve që kërkojnë të drejtën për lumturi, për vete dhe fëmijtë e tyre.
Fëmijtë para se të realizojnë të drejtën kushtetuese për shkollim duhet ‘ta gëzojnë’ nga prindërit e tyre të drejtën për ushqim e veshmbathje.
Kush është instanca që mbronë fëmijtë nga privimi nga kjo e drejtë?
Natyrisht se shteti.
Sipas Ligjit për mbrojtje të fëmijëve shteti është entiteti që kujdeset për mirëqenien e tyre dhe të sugurojë interesin e tyre më të mirë!
Dhe jo sindikata!
SBAShK-u ishte në të drejtën e vet, megjithë gabimet dhe deklaratat romantike e ndonjëherë politikisht jokorrekte, kurse pezullimi i grevës paraqet akt patriotik!
Pezullimi i grevës deri në janar 2023 dhe nisja e mësimit më tre tetor (duke i lënë hapësirë Qeverisë për reflektim në dialogun social) është lajm shumë i mirë, që vjen nga SBAShK-u dhe sprovë për pushtetin. Kushdo që nga tabori qeveritar e sheh këtë akt të vullnetit të mirë të Sindikatave, si thyerje përfundimtare të grevës e fitore të pushtetit, është veç një mbetje primitive dhe element antidemokratik e kundërshtetëror.
Nëse pushteti (si bartës i dhunës legjitime) “ia palon” qytetarit, duke e ‘palavitë’ atë; sipas diskursit të disa deputetëve entuziastë e servilë; të palosh sindikalistë e mësues, kjo nuk flet asgjë për këto subjekte, por për karakterin e vet pushtetit.
Në thelb, kjo është gjuhë rrugaçërie dhe jo institucionaliste.
Triumfalizmi flet për vetitë egërshane dhe të dhunshme të eksponentëve të pushtetit dhe vet pushtetit!
Sëkëndejmi, lëshimi pe i grevistave në çashtje që prekin interesin më të mirë të fëmijëve, është patriotizëm kushtetues.
Nëse pushteti vazhdon ta totalizojë shoqërinë, n’dash besoni n’dashi jo, kjo e rritë rezistencën dhe mobilizimin e qytetarëve kundër autoritarizmit.
Tashti Qeveria është në potez dhe ka shans të tregojë nivelin me të cilin përmbush axhendat shtetërore, pra të dëshmojë sa është funksionale e jo bllokuese e sistemit!
Sindikalistët tejkaluan egot e tyre, duke mos ra pre e nënvetëdijes së shtresëzueme primitive të elementëve aksidentalë në pushtet!
Porse ata kanëgabuar edhe në interpretimin e legjislacionit në fuqi, kanë mungesë strategjie si dhe mungesë të një Plani B, mirëpo, ata sëpaku dëshmuan shpirt demokratik, kur e pyetën anëtarësinë për pezullimin.
Po Kryeministri, e pyet kë, vallë!?
Ashiqare jo, pos tekeve e huqeve të tij.
Sindikalistëve iu desht “të dorëzohen” para presionit publik, që ende është prodhim iluzor i turmave: të këqinjt kundër të mirit!?
Shkruan: Halil MATOSHI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online