Sindikalistët nesër e fillojnë grevën, presin reflektim nga Qeveria

0
383
Foto: Arkiva

Edhe pas takimeve që përfaqësuesit e sindikatave të Kosovës kanë zhvilluar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, greva e përgjithshme në sektorin publik, duke përfshirë edhe mësimdhënësit do të fillojë nesër. Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili tha se nuk është arritur ende asnjë marrëveshje me institucionet qeverisëse. Ndërkohë, ekspertët thonë se duhet të gjenden forma të tjera sindikale.

Greva e paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, do të fillojë nesër, ndërsa është deklaruar se ajo do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën, se edhe pse përfaqësuesit e BSPK-së kanë pasur një takim këto ditë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, nuk është arritur asnjë marrëveshje për zhbllokimin e situatës. Ai bëri të ditur se edhe mësimdhënësit do të hyjnë në grevë, duke i bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të mbështesë kërkesat e mësimdhënësve.

“Vetë fakti se për herë të parë po fillojmë grevën më 25 gusht, në momentin kur nuk ka proces mësimor, e kemi bërë që ndoshta kjo vërejtja e fundit të tingëllojë ndryshe te qeveria. Ndërkohë, derisa të fillojë 1 shtatori, kur do të duhej të ktheheshin nxënësit në shkollë, ka hapësirë dhe mund të kemi lajme më të gëzuara”, ka theksuar Rrahman Jasharaj për Radio Kosovën.

Për paralajmërimet e grevës në sistemin arsimor, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, tha për Radio Kosovën se cikli i vazhdueshëm i këtyre paralajmërimeve është shpërqendrues për komunitetin arsimor. Ai tha se duhet të gjenden forma të tjera për realizimin e kërkesave sindikale.

“Me Ligjin e ri të Pagave, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë. Besoj se kjo do të ishte e mjaftueshme që ndërprerja e procesit mësimor të mos konsiderohej, por kërkesat e tjera sindikale të arriheshin të negocioheshin me forma të tjera të reagimit sindikal”, ka theksuar Qehaja.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në postimin e saj në facebook ka thënë se ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. “Sindikata nuk mund të cenojë të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron!”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, për ndërprerjen e procesit mësimor për shkak të kërkesave sindikale, kanë reaguar edhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe Këshilli i Prindërve. /Radio Kosova

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here