Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ka nënshkruar kontratën për furnizim me insulina analoge nga lista esenciale.
Furnizimet për të dyja llotet e këtij tenderi pritet t’i kryej kompania “MEDITECH”, me të cilën është nënshkruar kontrata.
Njoftimin për dhënie të kontratës, në platformën elektronike për prokurim publik në Kosovës “e-prokurimi”, Ministria e Shëndetësisë e publikoi në javën që shkoi.
Në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës, në njoftim thuhej se çka planifikohet të blihet nëpërmjet kësaj kontrate në kohëzgjatje 6 muaj.
“Ministria e Shëndetësisë në kuadër të programit për furnizim të Institucioneve publike Shëndetësore me produkte mjekësore, përfshinë edhe pjesën e furnizimit të rregullt me Insulina për nevoja të mbi 15,000 qytetarëve insulinvartës që aktualisht janë të regjistruar në Rep. e Kosovës dhe që furnizohen rregullisht me insulina me doza ditore sipas rekomandimit të mjekut” -thuhej në njoftim.
Tutje thuhet se bazuar në kërkesën e njësisë kërkuese kërkohet furnizimi me dy produktet si në vijim:
Lot 1 – Insulinë analoge me veprim të shpejtë, me dozë 100IU ml, 3ml me sasi 79,375 njësish, me çmim indikativ 4.25 euro për njësi.
Lot 2 – Insulinë analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm, me dozë 100IU ml, 3ml me sasi 341,395 njësish, me çmim indikativ 4.60 euro për njësi.
Nënshkrimi i kontratës
Nëpërmjet procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët, ministria kontratën ia dha kompanisë “MEDITECH”, me vlerë të përgjithshme 330,200 euro për Lot 1 Insulinë analoge me veprim të shpejtë dhe me vlerë të përgjithshme të kontratës 1,488,482.20 Lot 2 Insulinë analoge bifazike (premix) me veprim të shpejtë dhe të mesëm.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, bëhet e ditur nga Ministria se kontrata është nënshkruar me kompaninë.
Për kontratën e nënshkruar, Ministria e Shëndetësisë jep edhe informacione shtesë.
“Është nënshkruar kontrata sipas Procedurën së Negociuar pa publikim të Njoftimit për Kontratë, bazuar në Nenin 35.2.1(ii) dhe Nenin 35.2.1(iii) të LPP-së. Në pajtueshmëri me OE, në kontratë është përfshirë klauzola që në momentin që të nënshkruhet kontrata e rregullt me procedurë të hapur, kjo kontratë e negociuar ndërpritet automatikisht, pavarësisht përqindjes së realizimit të kontratës dhe AK-MSh nuk merr obligime ndaj kontraktorit”- thuhet në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.
KALLXO.com ka siguruar kontratën dhe sipas kontratës, insulinat janë me origjinë nga Danimarka, dhe një e tillë për lotin e parë kushton 4.16 euro ndërsa për lotin e dytë 4.36 euro.