“S’ia kemi frikën Rumanisë, për fitore në Bukuresht”

0
87

Kombëtarja e Kosovës i ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjet e nëntorit.

Dardanët ushtruan në Kampin Nacional në Hajvali, në atë që ishte seanca e fundit stërvitore në Kosovë para nisjes për në Bukuresht.

Verdhekaltrit do të përballen të premten mbrëma me Rumaninë në ndeshjen vendimtare dhe përcaktuese për liderin e Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, shkruan “Gazeta Express”.

Trupa e trajnerit Franco Foda duket në disponim të mirë para sfidës kryesore të kësaj kampanje, ndërsa nuk mungon as optimizmi për një rezultat të favorshëm në kryeqytetin rumun.

Muharrem Jashari beson se Dardanët mund të dalin mirë nga sfida që i pret pas dy ditësh.

Mesfushori kreativ shton se ekipi është duke e studiuar në detaje lojën e rumunëve, për t’iu kundërvënë më pas atyre.

Edhe tek Lindon Emërllahu u vërejt një optimizëm.

Futbollisti dardan insiston se ekipi nuk ua ka frikën aspak rumunëve.

Por, nuk është gjithçka bardhë në ekipin kombëtar.

Sot selektori Foda e mori një tjetër goditje sa i përket aspektit të lëndimeve.

Donat Rrudhani u largua nga grumbullimi pas lëndimit që e pësoi në stërvitjen e djeshme.

Pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se mbrojtësi i majtë s’do të mundë t’i ndihmojë Dardanët në sfidat e nëntorit.

Kështu, numri i lojtarëve që do të mungojnë këtë muaj rritet në gjashtë.

Rrudhani iu bashkohet Milot Rashicës, Bersant Celinës, Ermal Krasniqit, Leart Paqaradës e Emir Sahitit, po ashtu të lënduar.

Kontingjenti i Kombëtares së Kosovës do të udhëtojë nesër në mesditë drejt Bukureshtit, ku në mbrëmje pritet ta zhvillojë seancën e fundit stërvitore para përballjes së madhe të 15 nëntorit.

Më pas, të hënën tjetër Dardanët do të ballafaqohen me Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e fundit të kësaj kampanje./Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here