Ndonëse një insekt i vogël, relativisht i padëmshëm, nga morri i kokës frikësohen shumë prindërit e fëmijët e vegjël. Është e kuptueshme: të kesh insekte që fshihen në flokët tuaj është shqetësuese. Deri në momentin që do të përfundoni së lexuari këtë artikull, me siguri do të ndjeni ndjesi shpimi gjilpërash në lëkurën e kokës dhe një dëshirë të papritur për të kruar.
Gjashtë deri në 12 milionë fëmijë të moshës 3 deri në 11 vjeç marrin morra çdo vit, sipas vlerësimeve nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA.
Gazetarja e “New York Times”, Elizabeth Passarella, ka treguar se si familja e saj ka luftuar dy herë me morrat.
“Të dyja herët, unë u infektova pasi njëri prej fëmijëve u ngjit në shtratin tim gjatë natës dhe ndau jastëkun me mua. Kam kaluar orë të tëra duke tërhequr zvarrë krehrat e morrave nëpër flokët e fëmijëve të mi, kam vizituar një sallon flokësh në lagje ku stilisti njihej – ndonëse nga fjalët e të tjerëve – për të krehur morrat pas orarit të punës. Gjithsesi, kam shpenzuar më shumë se 1000 dollarë për të çmorruar familjen time”, shkruan Passarella, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas ekspertëve, ajo thotë se nuk kishte nevojë.
Ndërsa morrat e kokës janë ngjitëse, ato nuk janë të forta apo të qëndrueshme. Ju nuk keni nevojë t’i digjni çarçafët dhe kafshët prej pellushi për të pastruar shtëpinë tuaj.
Ja se si të identifikoni dhe të përballeni me një infektim.
Si e dini se janë morra të kokës?
Morrat shumë lehtë mund të ju ikin nga sytë. Morrat e rritur, të cilët janë të bardhë gri dhe me madhësinë e farës së susamit, janë më aktivë gjatë natës dhe fshihen nga drita. “Një person me një infektim aktiv mund të ketë vetëm 10 morra të rritur në kokë dhe ata janë të shpejtë”, tha Dr. Laura Melnick, një asistent-profesoreshë e dermatologjisë klinike dhe pediatrisë në “Weill Cornell Medicine” në Nju-Jork. Nimfat, morrat bebe, duken të ngjashme, por janë më të vogla. Vezët, ose thërrimet, janë ato që zakonisht gjeni gjatë një kontrolli në kokë. “Nëse keni lidhur një nyjë në një fije ndonjëherë – thërrimet sa madhësia e asaj nyje”, tha Dr. Candace Johnson, një asistente-profesoreshë e pediatrisë dhe epidemiologe spitalore në Universitetin e Kolumbias.
Vendet më të mira për të kontrolluar për vezë janë prapa veshëve ose në pjesën e qafës.
Ju mund t’i dalloni morrat nga zbokthi ose dermatiti seborrheik – një gjendje e lëkurës me kruajtje – sepse thekonet e zbokthit hiqen (vezët jo) dhe dermatiti shkakton kore në lëkurën e kokës.
Gjeta thërrime. Çka të bëj tash?
Mbani mend: Morrat janë acarues, por të padëmshëm. “Ata nuk bartin sëmundje”, tha Dr. Johnson. “Dhe është një mit që ata janë të lidhur me mungesë të higjienës. Ata janë thjesht të bezdisshëm”. Filloni duke kontrolluar të gjithë në familje. (Kafshët shtëpiake nuk mund të marrin morra nga njerëzit). Insektet kalojnë përmes kontaktit kokë më kokë – për këtë arsye fëmijët e vegjël që luajnë në grumbuj në qilimat e klasave të tyre si këlyshët janë më të ndjeshëm. Ato mund të përhapen përmes kapelave të përbashkëta ose furçave të flokëve, por ka më pak gjasa. “Morrat nuk fluturojnë apo kërcejnë – ata zvarriten”, tha Dr. Johnson.
Pastaj është koha për trajtim. Produkte pa recetë në barnatore që përmbajnë permetrinë ose piretrinë mund të vrasin morrat e rritur. Ndiqni udhëzimet: Morrat kanë një cikël jetësor dy-javor, kështu që do t’ju duhet të aplikoni produktet dy herë në javë ose më shumë.
Këta përbërës janë miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në ShBA – permetrina për fëmijët 2 muajsh e lart, dhe piretrinat për moshën dy vjeç e lart. Një tjetër produkt, me emrin gjenerik ivermectin, është miratuar për fëmijët 6 muajsh e lart.
Për prindërit që shqetësohen për vendosjen e kimikateve të ashpra në kokat e fëmijëve, mjekët garantojnë. Produktet i përdorni vetëm për një kohë të shkurtër dhe “ato janë studiuar dhe janë të sigurta”, tha Dr. Justine Fenner Biederman, një asistent-profesoreshë e dermatologjisë dhe pediatrisë në Shkollën e Mjekësisë Mount Sinai Icahn.
Agjentët okluzivë – substanca të trasha, të papërshkueshme nga uji, si majoneza ose locioni – mund të vrasin morrat, megjithëse mjekët theksojnë se këto trajtime me produkte shtëpiake nuk janë studiuar mirë. Nëse shkoni në këtë rrugë, Dr. Melnick rekomandon 100 për qind vazelinë, e cila nuk do të shkaktojë reaksione alergjike.
Po krehja?
Kremrat dhe shamponët nuk mund të vrasin vezët, kështu që fëmija juaj do të ketë ende thërrime ndërmjet trajtimeve. Krehja është mënyra e vetme për t’i hequr ato. “Nuk është e nevojshme të parandalohet përhapja, pasi thërrimet nuk lëvizin”, tha Dr. Melnick. Por pritja derisa dihet se vezët mbeten në kokë mund të jetë shqetësuese. Dhe disa shkolla nuk do t’i lejojnë fëmijët të kthehen nëse kanë ende thërrime, edhe pse Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillojnë kundër kësaj.
Ju duhet një krehër metalik me dhëmbë të imët i projektuar për heqjen e morrave. Filloni me flokë të lagur dhe kaloni nëpër seksione të vogla. Përsëriteni procesin çdo dy deri në tre ditë për dy javë dhe mos harroni të përdorni ende krem medikamentoz sipas udhëzimeve. Çdo thërrmijë e humbur gjatë krehjes mund të çelet, duke ju kthyer në hapin e parë nëse nuk trajtohen.
Si ta pastroj shtëpinë time tërësisht?
Lani çarçafët, peshqirët, kapelat, rrobat dhe xhaketat me ujë të nxehtë dhe thajini në nxehtësi të lartë. Morrat e rritur nuk mund të jetojnë larg kokës së njeriut për më shumë se një ose dy ditë, kështu që nuk keni nevojë të lani bluza që nuk kanë parë dritën e ditës për një muaj. Nëse lodrat e buta të fëmijës suaj nuk mund të lahen në lavatriçe, vendosini në një qese plastike për dy javë. Sigurohuni që të pastroni kolltukët, qilimat dhe mbështetësit e kokës së ulëseve të makinës.
A ka ndonjë mënyrë magjike për të shmangur morrat?
Shampo parandaluese ekzistojnë, por nuk ka asnjë hulumtim që tregon se ato funksionojnë dhe vajrat esencialë në to mund të shkaktojnë acarim të lëkurës, tha Dr. Fenner Biederman. Gërsheta ose lidhja e flokëve të gjata në të cilat mund të zvarriten morrat mund të ndihmojë dhe sigurisht nuk do të dëmtojë.
Nëse ka një shpërthim morrash në klasën e fëmijës suaj, filloni të kontrolloni – por përsëri, mos u trembni.
“Shumica e fëmijëve që janë të ekspozuar ndaj morrave të kokës nuk do t’i marrin ata”, tha Dr. Melnick. “Ndonëse mund të mos besoni, është e vërtet”. /Klankosova.tv