Si të shpëtoni nga dhjami në mëlçi

0
101

Shumica prej nesh shqetësohemi për grumbullimin e dhjamit në trupin tonë, qoftë për arsye estetike, por edhe për arsye shëndetësore. Dhe me të drejtë. Ajo që duhet të na shqetësojë edhe më shumë, megjithatë, është ndoshta dhjami visceral.

Për shkak të mënyrës së të ushqyerit dhe stilit të jetës, sëmundja e dhjamit në mëlçi, në veçanti, po shfaqet gjithnjë e më shpesh si problem shëndetësor dhe madje në nivel global.

Megjithatë, ndryshime të vogla të përditshme në zakonet tona mund të parandalojnë këtë grumbullim. Bëhet fjalë për zakone që lidhen kryesisht me ushqimin, i cili natyrisht shkon dorë për dore me aktivitetin fizik dhe stilin e përgjithshëm të jetesës.

Dhe për ta thënë troç: mëlçinë tënde duhet ta kesh veçanërisht në vëmendje, sepse është një nga gjëndrat më të rëndësishme dhe shumëfunksionale të trupit të njeriut, me mbi 500 funksione të ndryshme. Është organ jetësor për tretjen, metabolizmin, detoksifikimin, depozitimin dhe mbrojtjen e organizmit. Me fjalë të tjera, çdo gjë që konsumon, kalon nga aty.

Ja disa këshilla se si ta mbrosh:

Dieta Mesdhetare

Një dietë e balancuar mesdhetare mund të jetë aleatja jote për të mbrojtur mëlçinë. Kujdesu të përfshish në ushqimin tënd fruta dhe perime, ushqime të pasura me fibra, bishtajore, drithëra integrale dhe peshk. Mund të duket si klishe, por është një e vërtetë e padiskutueshme. Nga ana tjetër, ul konsumin e mishit të kuq dhe sidomos të ushqimeve shumë të përpunuara. Të skuqurat, pijet e gazuara, ushqimet me shumë sheqer si ëmbëlsirat, snack-et apo lëngjet e frutave me “sheqer të fshehur”, pengojnë shëndetin e mëlçisë, sepse glukoza e lartë në gjak rrit grumbullimin e dhjamit.

4-5 vakte në ditë

Kujdesu që të kesh vakte të rregullta gjatë ditës. Konkretisht, 4-5 vakte janë të përshtatshme, por mos harro edhe distancën kohore mes tyre. Çdo vakt të konsumohet rreth çdo 2-3 orë nga tjetri.

Aktivitet fizik i rregullt

Në rastin e shëndetit të mëlçisë, aktiviteti aerobik i rregullt është diçka që mund të të shpëtojë. Kjo do të thotë çdo formë ushtrimi aerobik, nga ecja, vrapi, biçikleta, vallëzimi apo çdo gjë tjetër e ngjashme. Aktiviteti i rregullt aerobik përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe në fund ul yndyrën në mëlçi.

Kufizimi i alkoolit

Të gjithëve na pëlqen një gotë verë ndonjëherë, apo kokteji ynë i preferuar – dhe kjo nuk është e ndaluar, përveç rasteve me sëmundje specifike. Por për shëndetin e mëlçisë, alkooli duhet të kufizohet, siç mund ta dish tashmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here