Si të mbijetojmë ndaj ankthit që na shkakton ky presion social

0
42

Nën ndikimin e presionit social, lind një ndjesi në rritje: ajo e të menduarit se po humbim diçka të rëndësishme. Kjo formë ankthi sot ka edhe një emër të vetin: notriphobia. Ajo lidhet ngushtë me FOMO (Fear Of Missing Out – frika e të mbeturit jashtë), e njohur më gjerësisht edhe falë deklaratës së hapur të Victoria De Angelis nga Måneskin: “Kam FOMO-n më të keqe në botë… edhe kur jam tmerrësisht e lodhur, duhet të dal çdo ditë, përndryshe ndiej se po humb diçka.”

Prandaj, pushimet e pranverës 2025 nuk na trembin. Edhe ëmbëlsia e të mos bërë asgjë mund të kthehet në një alternativë të shëndetshme ndaj udhëtimeve të programuara.

Pushimet e pranverës 2025, po, por ku?
Nuk është vetëm çështje “mosnisjeje”, por edhe frikë nga qëndrimi në vend. Nga humbja e një rasti të artë, nga ndjenja se nuk ndodhesh në vendin dhe momentin e duhur. Sipas Serenis, platformës digjitale për shëndetin mendor, notriphobia nuk ka të bëjë thjesht me pamundësinë për të udhëtuar: rrënjët janë më të thella. Për shumë njerëz, udhëtimi nuk është vetëm kënaqësi, por një formë e validimit social, një mundësi për rritje personale dhe ndjesi përkatësie. Mungesa e tij mund të sjellë ndjesinë e bllokimit dhe një lloj ngurtësie ekzistenciale.
Kjo ndjesi bëhet edhe më e fortë gjatë festave të rëndësishme dhe periudhave tradicionale të pushimeve.

Psikoterapistja Martina Migliore e shpjegon kështu: “Notriphobia është më shumë sesa thjesht dëshirë për të udhëtuar; shpesh ajo fsheh nevoja emocionale të lidhura me dëshirën për arratisje, kontroll ose krahasim social. Kur ky ankth bëhet invalidues apo i përhershëm, ndihma psikoterapeutike mund të ndihmojë në kuptimin dhe menaxhimin e emocioneve.”
Prandaj, ndjesia e pamundësisë së mosnisjes me pushime nuk është tregues i një “dobësie” ose i një “varësie nga rrjetet sociale”; më shpesh lidhet me faktin që shumë njerëz kanë mësuar ta lidhin udhëtimin me ndjesinë e vetme të lirisë dhe lidhjes së vërtetë me botën. Nuk ka të bëjë thjesht me një biletë avioni – ka të bëjë me kuptimin që i japim eksperiencave tona.

Strategji për të përballuar notrifobinë
Si mund ta përballojmë ankthin e “mosnisjes”, sidomos gjatë pranverës 2025 dhe në çdo moment tjetër?
Nuk bëhet fjalë vetëm për ta zëvendësuar një udhëtim me një filxhan çokollatë të nxehtë në divan, por për të ndryshuar këndvështrimin: çfarë na rigjallëron vërtet?
Është një çështje kthjelltësie.

Disa strategji të sugjeruara edhe nga Serenis për ta përballuar këtë ndjesi janë:

Rishikimi i konceptit të udhëtimit: Udhëtimi nuk nënkupton gjithmonë kilometra të shumtë larg vendit tonë ose përvoja ekskluzive. Edhe një ekspozitë në qytetin tënd, një libër që të çon në një tjetër realitet apo një shëtitje në një lagje të panjohur mund të të japin ndjesi të ngjashme (Tirana psh, ka shumë vende të paeksploruara nga të gjithë).
Të ndalosh krahasimet: Kjo është një nga “sëmundjet” më të mëdha të kohës sonë. Rrjetet sociale tregojnë vetëm një fragment të idealizuar të jetës së të tjerëve. Ndjekja e profileve më autentike ose thjesht kufizimi i kohës në rrjete mund të ndihmojë për të ulur pritshmëritë jo reale.
Pranimi i pasigurisë: Prano realitetin e momentit historik që po jeton, veçantinë e jetës tënde dhe të mundësive që ke. Jo çdo gjë mund të planifikohet.
Mësimi për të duruar boshllëqet: Këto momente janë thelbësore për forcimin e pavarësisë emocionale. Praktika të tilla si meditimi mund të ndihmojnë për të qëndruar të lidhur me të tashmen.
Dhe së fundmi: Le t’i japim vetes mundësinë për të ëndërruar lehtësisht, pa pasur presionin për t’i realizuar menjëherë këto ëndrra.
Dhe më e rëndësishmja: të mësojmë të vlerësojmë veten edhe në qetësi. Të kultivojmë mirënjohjen për gjithçka që kemi përjetuar, për momentet e bukura të së kaluarës, mund të na ndihmojë të zbusim ndjesinë e mungesës dhe të forcojmë besimin në rrugën tonë.

Psh, e kujtoni një udhëtim të jashtëzakonshëm që keni bërë kohë më parë?
Epo, do të bëni një edhe më të mrekullueshëm – por jo domosdoshmërisht tani./Living.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here