Ulja e pavarur, kthimi nga shpina në stomak dhe anasjelltas, drejtimi me ndihmën e mobiljeve, çdo fazë e rëndësishme e zhvillimit të foshnjës shkakton gëzim për prindërit, por ndoshta më i prituri është momenti kur fëmija i vogël hedh hapat e parë. Imagjinoni krenarinë në fytyrën e mamasë dhe babit: “E jona e vogël nuk është më bebe, tani është fëmijë”.
Ecja është një proces normal dhe fëmija juaj do ta kalojë atë kurdo qoftë, por ju si prind mund ta shkurtoni kohën në hapat e parë të pavarur përmes aktiviteteve të mëposhtme:
Pasi të ketë lindur, lërini sa më shumë kohë të shtrihet në bark. Edhe pse shumica e të porsalindurve e urrejnë atë në fillim, shtrirja në bark është mënyra më e mirë që ata të zhvillojnë muskujt e shpinës dhe qafës që nevojiten për të ecur.
Kur ai fillon të ulet vetë, vendosini lodrat larg tij që të mund t’i arrijë ato. Në këtë mënyrë ju do ta bëni atë të lëvizë (ose të paktën të përpiqet për të), duke rritur aktivitetin e muskujve në gjymtyrët e tij.
Inkurajoni zvarritjen. Zvarritja ndihmon foshnjën të zhvillojë koordinimin dhe të kuptojë shpejt se si funksionon lëvizja dhe si të lëvizë krahët dhe këmbët në të njëjtën kohë. Zvarriteni në dysheme së bashku sa më shpesh të jetë e mundur ose duke vendosur lodra interesante, nxiteni fëmijën të zvarritet nga njëri skaj i dhomës në tjetrin.
Shmangni dubak-in – rrethoret. Edhe pse në vendin tonë thuajse çdo prind përdor dubak – rrethore për bebin, AAP (Akademia Amerikane e Pediatrisë) bën thirrje vazhdimisht për ndalimin e këtyre ndihmave dhe në Kanada tashmë ato janë të ndaluara. Sipas AAP, rrethoret jo vetëm që nuk e ndihmojnë fëmijën tuaj të forcojë muskujt e këmbëve, por janë edhe të rrezikshme.
Kur fëmija mund të qëndrojë më vetë, maksimizoni kohën që ai kalon në këmbë. Luani me të voglin tuaj ose këndojini ndërsa janë në këmbë, në mënyrë që të shoqërojnë qëndrimin në këmbë me lojën dhe të argëtohen. Sa më shumë të përdorë këmbët, aq më i sigurt do të ndihet për të hedhur hapat e parë.
Lëreni të qëndrojë në krevat fëmijësh. Krevatet janë një vend i mrekullueshëm që fëmija juaj të kalojë më shumë kohë në këmbë. Ato janë të mbyllura dhe gardhi shërben si një sipërfaqe e qëndrueshme që ai të ngjitet. Gjithashtu, kur fëmija bie, e pret një sipërfaqe e butë, e cila minimizon rrezikun e lëndimit. Është më se e mjaftueshme që vogëlushi juaj të luajë në krevat fëmijësh për 30 minuta në ditë.
Përdorni topin pilates. Uluni në gjunjë në një pozicion që ju lejon të lëvizni topin dhe të mbani një sy mbi fëmijën. Lëreni fëmijën të mbahet në pjesën e pasme të topit ndërsa ju e rrotulloni ngadalë nëpër dhomë.
Rezistojini tundimit për të mbajtur fëmijën tuaj në krahë. Lëreni të shkojë vetë dhe ju ndihmoni duke i mbajtur për dore.
Nxiteni të lëvizë anash shtratit, duke u mbajtur në skajin e butë. Vendosni një lodër të preferuar në njërin skaj të krevatit, më pas inkurajoni të voglin tuaj që ta arrijë atë duke u mbajtur në skajin e krevatit. Në fillim, uluni pranë tij dhe kur të shihni se besimi i tij po rritet, largohuni.
Mos përdorini pandufke. Foshnjat mësojnë të ecin më lehtë kur janë zbathur. Pandufket i pengojnë ata të përdorin aftësinë e tyre për të “kapur” dyshemenë me gishtërinjtë e tyre dhe për të ruajtur ekuilibrin.
Mos u frikësoni nëse foshnja papritmas ndalon së ecuri dhe kthehet në zvarritje. Është e zakonshme që foshnjat të bëjnë një “pauzë” pas kalimit. Disa foshnja kthehen në zvarritje pas një rënieje ose sëmundjeje të keqe.
Mos u mundoni të shmangni rëniet, përpiquni ta bëni shtëpinë tuaj më të sigurt. Mos harroni, rrëzimet dhe ecjet shkojnë dorë për dore. Jepini fëmijës tuaj mbrojtjen maksimale kur bie, duke e kthyer shtëpinë tuaj në një vend të sigurt.