Nervozizmi dhe ankthi janë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve. Problemet shëndetësore, mungesa e stabilitetit ekonomik, rezultatet e papritura, debatet apo situatat stresuese janë vetëm disa nga arsyet që mund të ndikojnë negativisht në gjendjen emocionale të njeriut, duke e bërë të humbasë kontrollin dhe kthjelltësinë mendore.
Ankthi para ngjarjeve të rëndësishme të jetës, si provimet apo prezantimet profesionale, nuk është aspak i dobishëm. Përkundrazi, ai ndikon në përqendrimin, qartësinë e mendimit dhe performancën tuaj në momentet kur keni më së shumti nevojë për to.
Si të qetësoheni dhe të rifitoni kontrollin
Largohuni nga ambienti që shkakton stresin
Për t’u qetësuar dhe për të menduar më qartë, rekomandohet të largoheni përkohësisht nga ambienti që ka shkaktuar nervozizmin. Vizitoni një vend ku ndiheni rehat dhe të qetë, sikur jeni vetëm ju dhe mendimet tuaja.
Ky vend mund të jetë një shëtitore e mbushur me njerëz, ku përballeni me realitete të ndryshme dhe kuptoni më mirë vlerën e asaj që keni, ose pranë një lumi, ku zhurma e ujit që rrjedh krijon qetësi dhe ekuilibër shpirtëror.
Reflektoni mbi arsyen e nervozizmit
Në një ambient të tillë, përpiquni të analizoni pse jeni nervozuar dhe cilat janë shkaqet reale të stresit. Ky proces ju ndihmon të qartësoni mendimet dhe të gjeni zgjidhje më racionale.
Qetësia para provimeve dhe prezantimeve
Shpesh ndodh që nervozizmi të shfaqet para një provimi ose një prezantimi të rëndësishëm. Hapi i parë është qetësimi. Kujtoni veten sa shumë keni punuar, sa përpjekje keni bërë për të arritur deri aty ku jeni sot. Kjo do t’ju ndihmojë të rimblidhni forcat dhe të rifitoni vetëbesimin.
Mendoni pozitivisht dhe shpresoni për më të mirën
Për çdo problem që ju shqetëson, përpiquni të mendoni pozitivisht. Shpresoni për rezultatin më të mirë, punoni me përkushtim për ta arritur atë dhe në fund prisni me qetësi frytet e punës suaj./04 Online














































