Poshtërimi i dinjitetit të një nxënësi krijon një situatë tensioni te pjesa tjetër e klasës. Kjo situatë tensioni iniciohet sepse nxënësit, duke pasur status të njëjtë, shohin se me lehtësi mund t’u poshtërohet statusi i tyre. Si rrjedhojë, të gjithë nxënësit në klasë mund të ndihen të poshtëruar.
Mësuesi, i ndodhur përpara kësaj situate, për të përballuar sjelljen e nxënësve, mund të përdorë sarkazmën duke e shfaqur me elementë ironie mbi një nxënës apo mbi të tërë klasën.
Por disa herë, mësuesi mund të poshtërojë një nxënës edhe për sjellje të thjeshta, si për shembull pse ai pa nga dritarja apo pse pyeti shokun prapa se kur bie zilja. Në këto raste, mësuesi kërkon që nxënësi ta pranojë vetë se e bëri këtë veprim për një qëllim apo arsye të caktuar.
Megjithatë, kjo kërkesë e mësuesit ngandonjëherë mund të mos pranohet nga nxënësi. Në raste të tilla, mësuesi mund të shfaqë një sens humbjeje gjakftohtësie. Pasoja e kësaj humbjeje është tendenca për ta poshtëruar nxënësin, duke inicuar kështu një situatë tensioni midis tij si mësues dhe nxënësve në klasë.