Si e humbi PDK një nga themelet e saj më të forta në Prizren?

0
421

Historia e çdo partie politike nuk ndërtohet vetëm mbi fjalë, programe apo premtime. Ajo ndërtohet mbi njerëz, mbi vlera, mbi besnikëri, mbi përkushtim të pakompromis dhe mbi sakrifica personale që shpesh mbeten të padukshme. Në këtë mozaik të vlerave, PDK në Prizren për dekada me radhë ka pasur një figurë që përfaqësonte unifikim, besueshmëri dhe një model të ndershmërisë politike: Nezir Çoçajn.

E megjithatë, paradoksi i madh është se pikërisht kjo figurë u la në heshtje.
Në vend që të përfaqësonte vazhdimësinë e një trashëgimie të fuqishme, ai u distancua,u detyrua të tërhiqet a edhe të largohej fare nga hapësira politike e partisë që ndihmoi ta themelojë.

Siç duket, figurat si Nezir Çoçaj shfrytëzohen për të arritur sukses politik, por sapo ky sukses sigurohet, ato lihen jashtë. Vendimet nuk merren më nga përfaqësuesit legjitimë të elektoratit, por nga grupe të vogla individësh, shpesh pa asnjë peshë morale, të cilët veprojnë nga snobizmi dhe interesat e tyre të ngushta personale e biznesore. Kështu, ata që e ngritën partinë mbi vlera, sakrifikuan dhe unifikuan njerëzit, përjashtohen. Ndërsa në vend të tyre hapësirën e marrin manipulatorët me kalkulimet e përkohshme dhe interesat e vogla të pa moralshme.

Dhe Neziri nuk është i vetmi. Për vite me radhë, nga PDK janë larguar edhe shumë figura të tjera me kredibilitet, me kontribute të pamohueshme dhe me përkushtim të vërtetë.Disa u anashkaluan në heshtje, disa u shtynë të tërhiqen, e disa u detyruan të kërkojnë rrugë të reja politike, vetëm sepse integriteti i tyre nuk përputhej me agjendat e mbyllura të grupeve të interesit.

Nezir Çoçaj nuk u largua nga parimet; përkundrazi, ai mbeti i qëndrueshëm në to. Ajo që u thye ishte besimi i tij në një strukturë që nuk vlerësoi sakrificën, përkushtimin dhe ndershmërinë. Dhe kur një parti humb njerëz të tillë, ajo humb një pjesë të shpirtit të vet.

Sot, qytetarët e Prizrenit, dhe jo vetëm, e dinë mirë se kush qëndron në krah të tyre përtej kalkulimeve të ngushta politike. Ata e dinë se ndershmëria dhe përkushtimi nuk shiten, nuk blihen, dhe nuk fshihen dot nga agjendat e vogla të pushtetit të përkohshëm.

Prandaj, çdo hap i mëvonshëm i Nezir Çoçajt, çdo vendim për të vazhduar rrugën e tij politike qoftë edhe jashtë PDK-së- tashmë në Nisma Socialdemokrate, është më shumë se zgjedhje personale: është një thirrje e fortë për reflektim. Një thirrje për të kuptuar se lojaliteti nuk është dobësi, por virtyt. Dhe se një parti që nuk di t’i mbrojë, t’i respektojë dhe t’i mbajë figurat e saj më të ndritura, është e dënuar të humbasë besimin e njerëzve.

Në fund, historia nuk do të mbajë mend emrat e atyre që përfituan përkohësisht, por do të ruajë figurat që, edhe kur u lanë jashtë, mbetën me ndërgjegje të pastër. Nezir Çoçaj është një prej tyre. Dhe kjo e vërtetë nuk shuhet.

Prandaj pyetja sot nuk është pse Nezir Çoçaj u largua, por pse PDK lejoi që të humbë edhe një figurë të tillë. Dhe nëse një parti e braktis njerëzit që e kanë ngritur, a nuk është koha që edhe qytetarët të reflektojnë kujt po ia japin besimin?

Shkruan: Asllan Gashi

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here