E drejta për të votuar është një nga sferat më të rëndësishme të demokracisë dhe një mjet thelbësor për qytetarët për të ndikuar në fatin e tyre, të familjeve të tyre dhe të vendit. Kur votojmë, ne nuk zgjedhim thjesht individë apo parti politike, por vendosim për drejtimin e ardhshëm të shoqërisë dhe për bazat mbi të cilat do të zhvillohet e ardhmja e brezave të ardhshëm. Vota jonë është mjeti me të cilin ne mbrojmë vlerat, të ardhmen dhe stabilitetin e familjeve tona.
Vota dhe përgjegjësia qytetare
Të votosh nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrim moral dhe qytetar. Në një demokraci funksionale, çdo qytetar ka përgjegjësinë të marrë pjesë aktive në zgjedhje dhe të mbështesë ata individë dhe programe politike që ofrojnë zhvillim ekonomik, stabilitet social, arsim cilësor dhe shërbime të mira shëndetësore. Një vend i fuqishëm fillon me familje të fuqishme, të cilat kanë mundësi dhe perspektivë për zhvillim dhe mirëqenie.
Shteti fillon me familjen
Shpesh, patriotizmi interpretohet si dashuri për kombin dhe atdheun, por në thelb, një komb i fuqishëm nuk mund të ekzistojë pa familje të shendetshme dhe stabile. Prandaj, kur votojmë, duhet të mendojmë së pari për familjen tonë:
- A do të krijohen mundësi të reja punësimi që sigurojnë të ardhme të qëndrueshme për fëmijët tanë?
- A do të ofrohet arsim cilësor, modern dhe i çasshëm që fëmijët tanë të zhvillojnë potencialin e tyre maksimal?
- A do të ketë sisteme shëndetësore efikase që mbrojnë shëndetin e fëmijëve, prindërve dhe gjyshërve tanë?
Si ta zgjedhim drejtimin tonë?
Të vendosim se për kë do të votojmë nuk duhet të bazohet në emocione të çastit, në ndikime të jashtme apo në favorizime individuale. Përkundrazi, duhet të bazohet në analiza të qarta dhe objektive:
- Programet e partive – Cilët janë prioritetet e tyre? A reflektojnë vlerat dhe nevojat e familjeve tona?
- Përformanca e kaluar – A kanë arritur të mbajnë premtimet e dhëna? A kanë treguar përkushtim ndaj qytetarëve?
- Aftësia për të qeverisur – A janë kandidatët kompetentë dhe të përgatitur për të drejtuar vendin?
Balancimi mes interesave personale dhe atyre kombëtare
Nuk duhet të harrojmë se zhvillimi i gjithë shoqërisë sjell përfitime edhe për individin. Një shoqëri e shëndoshë dhe e zhvilluar sjell më shumë mundësi për secilin qytetar. Ne duhet ta largojmë kulturën e votës së dhënë për interesa të ngushta personale apo klanore dhe të mendojmë afatgjatë. Zgjedhjet që bëjmë sot do të ndikojnë jetën e fëmijëve tanë nesër. Prandaj, vendimi duhet të jetë i mençur dhe i mirëinformuar.
Vota jonë ka peshë dhe ndikim. Ajo duhet të jepet me përgjegjësi, duke u bazuar në vlerat e familjes, në mirëqenien afatgjatë dhe në nevojat e brezave që vijnë. Shteti fillon në familje dhe një familje e shëndetshme e forcon shtetin. Prandaj, të votojmë me mençuri dhe përkushtim, duke menduar për veten, fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre.
Dr. Sc. Latif Hoxha – Psikolog Klinik Specialist
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online