Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës ACDC për Avokimin e Kulturës Demokratike, ka thënë se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja për energjinë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se në veri të Kosovës do të fillojë faturimi i energjisë elektrike, derisa ka shtuar se sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, qytetarët serbë janë të ndarë.
Marrëveshja për energjinë është nënshkruar në vitin 2013 dhe nuk është realizuar deri më sot, dhe qytetarët në veri të Kosovës nuk e kanë paguar rrymën e shpenzuar për dy dekada.
Edhe pse ende nuk është nënshkruar marrëveshja, Radakoviq pwr Kosovapress beson se shumë shpejt do të vijë deri tek nënshkrimi, por edhe tek pagesa e rrymës.
”Ajo që mora ishte informacioni se marrëveshja është pothuajse gati, vetëm po prisnim zgjedhjet që të nënshkruhej, nuk e di nëse mosorganizimi i zgjedhjeve në Kosovë do ta shtyjë procesin e nënshkrimit. Ajo që di është se Qeveria e Kosovës ka kohë që paguan rrymën për veriun, kështu që njerëzit e veriut, unë personalisht nuk kam marrë asnjë faturë nga EPS, e cila lëshon faturat, kështu që mendoj se shumë shpejt marrëveshja do të jetë dhe do të fillojë faturimi, dhe si do të jetë për pjesën tjetër nëse njerëzit do të paguajnë ndonjë paushal, nëse do të jetë një marrëveshje me Beogradin që dërgon rrymë në Kosovë për të bërë pagesën apo çfarë nuk e di, kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, këtë ndoshta vetëm një numër i vogël i njerëzve mund ta dijë, andaj presim që në dy-tre muajt e ardhshëm të fillojë faturimi i energjisë elektrike”, tha Dushan Radakoviq.
Radakoviq thekson se marrëveshja e përkohshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për targat duhet të zëvendësohet me një zgjidhje përfundimtare. Grupet punuese të formuara gjashtë muaj më parë, në të cilat përfshihen përfaqësues të Beogradit, Prishtinës dhe Bashkimit Evropian, më së voni deri të enjten është dashur të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat, të bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.
Ai nuk sheh zgjidhje të menjëhershme dhe beson se pala kosovare nuk dëshiron të ketë zgjidhje me stikersa.