Shumë nxënës ende pa libra, nëna rrëfen sfidat që po hasin për rimbursim

0
203
Foto: Arkiva

Kanë kaluar më shumë se një javë që ka nisur procesi mësimor, por shumë nxënës vazhdojnë të mbeten pa tekste shkollore, shkaku i problemeve që po hasin prindërit për të aplikuar në platformën e-Kosova për rimbursimin e mjeteve financiare. Prindërit po ankohen se nuk kanë mundësi të hapin xhirollogari bankare, dhe se librat po kushtojnë më shumë se mjetet që po ekzekutohen nga Ministria e Arsimit. Përveç kësaj, ankesa e tyre ka të bëjë me atë se librat për klasën e gjashtë deri në të nëntën që u jepen nxënësve, janë shumë të dëmtuara.

Një nënë, që ka dashur të mbetet anonim, ka treguar për KosovaPress duke ofruar argumente se nuk po mund të aplikojnë për rimbursim të mjeteve përmes e-Kosova, dhe se sipas saj numri kontaktues për të kërkuar ndihmë në këtë platformë, nuk është i qasshëm.

Për të verifikuar nëse numri që është i vendosur në faqen e platformës e-Kosova nuk është i qasshëm për ndihmë, KosovaPress ka tentuar disa herë ta marrë linjën, por nuk ka arritur të kontaktojë dhe të merr ndonjë përgjigje.

Përveç kësaj, nëna e dy fëmijëve tha se librat që po i marrin nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën janë shumë të dëmtuara, derisa shtoi se mësimdhënësit nuk kanë të drejtë t’i largojnë nxënësit nga procesi mësimor nëse nuk kanë mundësi t’i sigurojnë librat.

Se prindërit po hasin në vështirësi për të aplikuar në këtë platformë e pohon edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, derisa thotë se nga gjetjet e realizuara, kanë verifikuar se rreth 60 për qind të nxënësve ende nuk janë pajisur me libra shkollorë.

Lidhur me vështirësitë për tu kyçur në këtë platformë, përmes e-mailit MASHT-i është përgjigjur pyetjeve të KosovaPress-it duke thënë se platforma e-Kosova po funksionon.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se deri më tani në platformën e-Kosova kanë pranuar rreth 177 mijë aplikime, derisa tregojnë se rreth 130 mijë aplikuesve iu janë ekzekutuar mjetet për librat shkollor.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here