Në mungesë të të akuzuarit Shaqir Lutvijas, të mërkurën ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku i njëjti po akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi i njoftoi palët se gjykata kishte urdhëruar sjelljen e të akuzuarit, por nga njësia për transport të paraburgosurve janë njoftuar se për shkak të mbingarkesës dhe mungesës së resurseve, ata nuk ishin në gjendje ta realizonin këtë urdhër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai bëri të ditur se për këtë arsye, njësia e transportit kishte tentuar të shtynte orarin e transportit të të akuzuarit për një orar më të vonë, por për shkak të një seance të caktuar për pasdite.
Po ashtu, në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm të gjithë dëshmitarët e propozuar, edhe pse u tha se thirrjet nga gjykata ishin dërguar në mënyrë të rregullt.
Në këto rrethana, gjykata vendosi që seanca e parashikuar të mbahet sot të shtyhet për një datë tjetër, kur do të paraqiten fjalët hyrëse në këtë procedurë.
Ndryshe, në seancën e kaluar, Shaqir Lutvija ka deklaruar se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet nga Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së/Indeksonline/