Marrëveshja Kosovë-Serbi për Planin evropian duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, thonë njohës të çështjeve kushtetuese. Ratifikimi i saj në parlamentet e dy vendeve, sipas njohësit Mazllum Baraliu, do ta bënte marrëveshjen ndërkombëtarisht të vlefshme. Por në opozitë janë shprehur të ndarë për këtë
Plani evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshja potenciale për udhërrëfyesin, sipas njohësve të Kushtetutës, duhet t’i nënshtrohet të ratifikimit në Kuvend, pasi që hyn në kuadrin e ujdive ndërkombëtare, që bazuar në nenin 18 të Kushtetutës, e kërkon ndjekjen e një procesi të këtillë.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se marrëveshja potenciale do të duhej që patjetër të ratifikohej në Parlamentet e dy shteteve, në mënyrë që ajo, krahas pajtimit, të gjente edhe zbatim.
“Vetëm të ratifikuara në dy parlamentet, marrëveshjet e tilla, në këtë rast, ky plan, si marrëveshje në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Serbisë, do të mund të dërgoheshin në OKB për t’u regjistruar atje dhe për të marrë vlerën e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht të njohur edhe nga Kombet e Bashkuara dhe një marrëveshje e cila Serbinë do ta detyronte që të jetë e përgjegjshme dhe zbatuese në këtë marrëveshje”, ka thënë Baraliu.
I pyetur nga deputetët nëse ky dokument do të sillej për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti nuk pati dhënë përgjigje gjatë interpelancës së tij për dialogun, të enjten. E nga zyra e tij, përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me çështjen nuk kanë dhënë as të shtunën.
Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje potenciale do të nevojiteshin votat e dy të tretës së deputetëve, mbështetjen e të cilëve pushteti aktualisht nuk e gëzon.
Nga Partia Demokratike kanë thënë se qëndrimin pro apo kundër do të japin bazuar në përmbajtjen finale të dokumentit, porse e kanë shprehur drojën se kryeministri do ta sjellë atë në Legjislativ.
“Personalisht e kam ngritur këtë dilemë që kryeministri po tenton të ikë me orvatje për t’iu shmangur nenit 18 të Kushtetutës, që e obligon kryeministrin që ta ratifikojë marrëveshjen e këtij tipi çfarë është aktualisht në Kuvend”, ka thënë deputeti Ferat Shala.
E në Lidhjen Demokratike kanë kundërshtuar mbështetjen për çfarëdo marrëveshje që në qendër nuk e ka njohjen e ndërsjellë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk merr pjesë në Komisionin për hartimin e udhërrëfyesit për implementimin e propozimit evropian dhe as nuk e përkrah një marrëveshje të tillë në Kuvend, përderisa nuk është marrëveshje përfundimtare me njohje në qendër”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi e LDK-së.
Ndërkaq, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky i vetëm opozitar që i ka dhënë mbështetje Planit Evropian, kanë paraqitur një kusht për votën pro.
“E mira e vetme që vjen nga kjo marrëveshje është që Kosova, njëherë e përgjithmonë e ndan rrugën e udhëtimit drejt integrimeve euroatlantike prej Serbisë… Çdo marrëveshje, e cila e ndan Kosovën nga Serbia, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbështesë”, është shprehur deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Ani se e ka kualifikuar të nevojshëm, Baraliu ka vlerësuar se ratifikimi i marrëveshjes potenciale për udhërrëfyesin në Kuvendin e Serbisë përbën problematikë më të madhe.
“Sa i përket Serbisë është çështje e saj, por Serbia nuk dëshiron ta ratifikojë. Serbia as marrëveshjen e prillit të 2013 që ka qenë një këso marrëveshje e ashtuquajtur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve e ka dërguar në parlament, parlamenti nuk e ka ratifikuar, kanë kërkuar mendimin e Gjykatë Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka shpallur akt inekzistent sepse nuk mund të lidhet marrëveshje, pasi konsideruar gjykata e shtetit me ‘një pjesë të territorit’, sepse Kosova fatkeqësisht ende është në preambulën e Kushtetutës së Serbisë si pjesë përbërëse e shtetit serb”, ka thënë tutje Baraliu.
Për udhërrëfyesin e zbatimit të Planit evropian, palët do të diskutojnë gjatë takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.