Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit me kërkesë të kompanive të ujësjellësit nëpër rajone ka rritur çmimet e ujit të pijshëm , madje në disa kompani janë shënuar rritje edhe për shërbime të ujërave të ndotur. Në këtë institucion janë arsyetuar se rritjet janë bërë shkaku i shpenzimeve të energjisë elektrike në fabrika për përpunimin e ujit dhe shpenzimeve të tjera të mirëmbajtjes.
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit ka shqyrtuar planet e biznesit për tre vjetët e ardhshëm për kompanitë e ujësjellësit për të gjitha rajonet e vendit.
Ka vendosur që nga 1 janari i këtij viti të vendosen tarifa të reja për secilën kompani të ujësjellësit duke i rritur çmimet e ujit për konsumatorët.
Rritja e çmimit të ujit me nga disa centë për metër kub për rajone të ndryshme është bërë pas kërkesës së kompanive, të cilat e kanë arsyetuar rritjen shkaku i shpenzimeve për mirëmbajtje të fabrikave.
Në kompaninë e ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj kanë shpjeguar se rritja e çmimit ka ardhur edhe për shkak të rritjes së çmimit të klorit.
“Kemi kërkuar një rritje të tarifave por ARRU-ja në bazë të analizave e ka bërë një rritje të vogël. Tarifa e ujit mbetet 37 centë, por ka qenë 35 centë për shtëpiak dhe 0.10 centë tarifa për kanalizim. Do të thotë që të dyja bëjnë 47 centë”, ka thënë Nazif Asllani, drejtor i “Bifurkacionit”.
Në këtë komunë shkaku i ngritjes së çmimit të ujit ka reaguar shoqëria civile që monitoron institucionet publike.
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” shërbimet e ujit janë rritur për një cent për metër kub.
Analisti për tarifa të ujit në ARRU, Vehbi Duraku, ka thënë se çështja e tarifave është e rregulluar me ligj.
“Kompanitë e ujit janë të obliguara çdo tre vjet t’i dorëzojnë planet e tyre të biznesit. Institucioni ynë i shqyrton këto plane te biznesit, i analizon dhe i shikon nëse ka nevojë për ndonjë investim apo për ndonjë shpenzim, pastaj nëse janë rritur kostot e energjisë elektrike, janë rritur kostot e mirëmbajtjes, si është faturimi, si janë shitjet, si është numri i konsumatorëve etj, dhe të gjitha këto futen në një model të kalkulimit të tarifës dhe në fund kalkulohen tarifat”, ka thënë Duraku.
Në KRU “Gjakova” çmimi i ujit të pijshëm është rritur për 1 cent, ndërsa ajo për kanalizim për 0.07 centë.
Nga KRU “Hidrodrini” në Pejë kanë thënë se ata nuk kanë kërkuar që të rriten çmimet për këtë rajon.
Faturat do të mbesin të njëjta kanë thënë edhe nga KRU “Mitrovica” e “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.