Shtensionimi i situatës në veri dhe largimi i barrikadave pritet t’i hapë rrugë rikthimit të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas njohësve të procesit të dialogut, palët duhet të orientohen në arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në bazë të planit franko-gjerman deri në fund të marsit të vitit 2023. Megjithatë, hedhin dyshime se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mund t’i përdorë sërish barrikadat si mjet për të arritur qëllime në dialog.
Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë pas tejkalimit të tensioneve në veri, komuniteti ndërkombëtar duhet t’ia bëjë të qartë Kosovës dhe Serbisë për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë të qartë se palët duhet të rikthehen sa më shpejtë në dialog, pasi në dakordimet e fundit në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan të flasin për propozimin e BE-së, apo propozimin franko-gjerman dhe janë orientuar që deri kah fundi i marsit të vitit 2023 të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare”, ka thënë ai.
Rikthim të palëve në dialog pret edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, pasi thotë se dialogu deri tani ka qenë i pezulluar.
Mirëpo, ai shpreh shqetësimin se Serbia në dialog do të kërkojë themelimin e Asociacionit dhe jo të fokusohet në planin franko-gjerman.
“Për momentin dialogu është i pezulluar, kështu që Serbia kthehet në tavolinë të dialogut me idenë se do të ketë hapa për formimin e Asociacionit. Mirëpo ajo çka është shpresëdhënëse për Kosovën është se nuk është përmend askund në deklaratën e SHBA-së dhe BE-së për barrikadat. S’ka presion direkt që të ketë formim sa më të shpejtë të Asociacionit, por të fillohet të bisedohet për atë çështje”, ka theksuar Bytyçi.
Raci kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në për çfarëdo veprimi, pasi siç thotë ai, nevojitet një aleancë e fortë për t’i bërë ballë Serbisë dhe Rusisë.
“Duhet të jemi në koordinim të plotë me SHBA-në, për shkak se situata gjeopolitike nuk është e favorshme dhe vetëm një aleancë e fortë strategjike siç është kjo me SHBA-në mund t’i bëjë ballë Serbisë dhe Rusisë për t’ia ndalur hovin e tyre të përditshme dhe daljen e tyre në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Bytyçi, ka deklaruar se presidenti serb Vuçiq mund t’i sheh barrikadat sërish si një mjet për të arritur qëllime në dialog me Kosovën.
“Nëse presidenti Vuçiq, barrikadat i sheh prapë si një mjet për t’i arritur qëllimet e veta në dialogun Kosovë-Serbi, ato mund të kthehen si instrument i tij, jo si protestë popullore”, ka theksuar ai.
Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress të premten, ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel.
Barrikadat në veri u larguan 20 ditë pas vendosjes së tyre, pas lehtësimit të masës së sigurisë për ish-policin e arrestuar Dejan Pantiq.
Në bazë të planit franko-gjerman, sipas asaj që është deklaruar, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje deri në fund të muajit mars të vitit 2023.
Takimi i fundit i nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit ishte në muajin nëntor. /KP