Ndoshta mund t’ju duket e çuditshme, por në fakt ekziston një efekt që mund t’u japë grave rezultate negative në testin e shtatzënisë – edhe kur ato janë realisht shtatzëna.
Në një forum për prindër, një grua ka rrëfyer se nuk e ka konfirmuar shtatzëninë deri në tremujorin e dytë, pavarësisht se ishte e bindur se ishte shtatzënë.
Ajo ka shkruar: “Kam qenë shtatzënë në javën e 17-të dhe kam bërë si testin e gjakut, ashtu edhe atë të urinës – por të dy dolën negativë.”
Kjo grua, të cilës vazhdimisht i ishte thënë se nuk ishte shtatzënë – megjithëse kishte përjetuar të vjella dhe ndalim të menstruacioneve – sot është nëna e një djali 13 muajsh.
Një tjetër grua ka rrëfyer për Kidspot se nuk ka pasur asnjëherë test pozitiv shtatzënie për asnjërin nga tre fëmijët e saj, transmeton Telegrafi.
Sipas mjekëve, ky efekt ndodh kur një grua ka nivele shumë të larta të hormonit hCG – hormon që prodhohet gjatë shtatzënisë.
Kur një grua është shtatzënë, molekulat e hCG-së zakonisht lidhen me një antitrup “sinjalizues” dhe një antitrup “kapës”, të cilët detektohen nga testi për të dhënë një rezultat pozitiv.
Mirëpo, në raste të rralla, sasitë e tepërta të këtij hormoni mund të shkaktojnë një fenomen të quajtur “efekti i goditjes me grep”, ku sasia shumë e madhe e hCG-së ndërhyn në procesin e lidhjes së antitrupave dhe testi del negativ – edhe pse gruaja është realisht shtatzënë.
Mjekët theksojnë se ky fenomen është më i zakonshëm te gratë që janë shtatzënë me binjakë apo trinjakë, për shkak të niveleve edhe më të larta të hCG-së në trup.