Shkruan: Fadil MALOKU
Para se të ndodh më e keqja, apo për tê hequr çdo dyshim ogurzi për një vendimmarrje eventuale krye në vete, mendoj se Kosova duhet të ndërmarr ca hapa të rëndësishëm në mënyrë të sqarohen edhe ca kualifikime e ca pozicionime shqetësuese (lidhur me Asociacionin pa njohje reciproke) që mundën me lënë pasoja të pariparueshme për brezat e ardhshëm;
Hapi parë, opozita kosovare (nuk e kam fjalën vetëm opozitën parlamentare, por, të tërën!) DUHET të deklarohet dhe të artikulohet shumë më QARTË rreth modelit apo tipit të Asociacionit që ajo mendon se paska nevojë Kosova. Sepse, ka shumë keqkuptime të ndërsjella dhe për t’u ikur gjitha këtyre agresioneve, stigmatizimeve e paragjykimeve politike, prononcimi i qartë u shërben edhe relaksimit të raporteve publike;
Hapi i dytë, opozita poashtu duhet të sqaroj; qëndrimin, mendimin dhe gjykimin e saj preliminar, në mënyrë që pastaj qëndrimi final të arrihet përmes debateve dhe kontakteve. Sepse, qëndrimi, mendimi dhe gjykimi i bazuar në konsensus dhe marrëveshje (qoftë ajo edhe gojore!) në masë të madhe e krijon argumentin e përgjegjësisë së përbashkët (të njëjtë gjë e ka bë Serbia) por, edhe atë të (sh)fajësisë ndaj Planit franko-gjerman, ku në qendër në vend tē ” njohjes reciproke” është futur Asociacioni (një etnik);
Hapi i tretë, përçarja duhet të reduktohet skajshmërisht përmes një “monologu” (lexo; një konsensusi të arritur politik të cilin duhet ta inicioj qeveria) të brendshëm, ku do qartësoheshin; si limitet ashtu edhe “shkalla e ngucakeqjes publike” midis qeverisë dhe opozitës. Thënë më thjeshtë; një “marrëveshje xhentëlmene e mos sulmimit”, apo pse jo edhe e “armëpushimit” (s’po them edhe pajtimit, ngase në pluralizëm është i paimagjinueshëm!), e cila do të duhej të paktën të vlejë derisa të kaloj si euforia ashtu edhe presioni i jashtëm lidhur me Asociacionin.
.
Hapi i katërtë, vendi ku më së miri do sqarohet ky lloj (ri)pozicionimi politik e ideologjik për Asociacionin është pa asnjë diskutim aula e Parlamentit të Kosovës. Aty duhet edhe një herë të “thyhen shtizat” midis qeverisë dhe opozitës. “Thyerja e shtizave”, nuk duhet të ndodh serish lidhur me dilemat pro et contra (ngase, është votuar njëherë!), por lidhur me shqyrtimin e mundësive për ta suspenduar vendimin e mëhershëm. Shkak, duhet te shërbejnë, dy arsye: Arsyeja ë pare:, që Serbia nuk ë ka fut asnjëherë ne debat çështjen e (mos)votimit të Marrëveshjeve të Brukselit (as atë te vitit 2011 as atë te vitit 2015) ne Parlamentin e saj. Arsyeja ë dyte, Serbia ende edhe sot ë kësaj dite ne Preambulë të Kushtetutës se saj, Kosova figuron si territor i saj”?
Hapi i pestë, nëse Parlamenti e ka problem ta riaktivizoj (ngase,dikush edhe mund të thotë, se; është kotësi tani të ridebatohet për një temë ku 83 deputet kanë votuar pro; dhe ku është vë firma në vitin 2011 nga Hashim Thaçi dhe në vitin 2015, e rikonfirmuar nga Isa Mustafa) këtë tematikë, atëherë, kjo çështje duhet të “testohet” përmes Referendumit, në mënyrë që përgjegjësia, kompetencat, legaliteti dhe legjitimiteti juridiko-politik i vendimmarrjes të kalojnë tek qytetaria.
Hapi i gjashtë, Referendumi duket si hap i vonuar dhe tejet kompleks, edhe shkaku i presionit të kohet që faktori ndërkombëtare i ka vënë në siklet akterët tanë politik, atëherë, qytetaria është ajo adresa që duhet të aktivizohet. Ngase, nëse respektohet ky vullnet i qytetarisë kosovare qoftë madje edhe si demonstrim civilizues (paramendoni; 1 milion shqiptar të Kosovës në Sheshin Ibrahim Rugova!) atëherë, nuk e kam dyshimin se kjo qytetari me vullnetin e saj po ia refuzon Serbisë veriun e Kosovës dhe për rrjedhojë funksionalitetin e krejt shtetit të Kosovës!
Hapi i shtatë, mirëpo, nëse ndodh e kundërta; pra, pa vullnetin e qytetarisë copëtohet Kosova (dhe i dhurohet veriu heshtazi pa asnjë reagim as publik e as jopublik) qoftë nga qeveria e sotme, apo opozita e nesërme dhe kjo përjetohet si humbje e së drejtës përkundër forcës, atëherë mbetet kjo kërkesë e përjetshme për rivendosjen e drejtësisë dhe krijimin e forcës për të.
(P.S. Kjo e fundit ka shumë rëndësi: p.sh. serbët e ruajtën në kujtesë si humbje të padrejtë të Kosovës në vitin 1389, dhe me shekuj punuan për rikthimin e saj nën Serbi, gjë që e arritën në shekullin 20. Shqiptarët e ruajtën në kujtesë humbjen e Kosovës në vitin 1913, dhe po punojnë për rivendosjen e drejtësisë historike, morale e politike. Por kur diçka (Asociacioni) dhurohet vullnetarisht, e humb përgjithmonë këtë forcë lëvizëse. Kjo është thënë me ndryshe, dialektika e kthimit të humbjes në fitore, dialektikë që shpërbëhet përfundimisht kur humbja përjetohet si fitore dhe mençuri politike e një qytetarie të momentit…
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online