Shqipëria ka marrë vrull drejt Bashkimit Europian, ndërsa të martën e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim. Kryeministri Edi Rama pret që për 5 vjet vendi të hyjë në BE. Shumë optimist shprehet edhe presidenti Bajram Begaj. Nga Kosova, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti dërguan urime. Shtetit që e udhëheqin ata do t’i duhet të bëjë shumë rrugë për të mbërritur aty ku është Shqipëria tash. Kosova është i vetmi vend në rajon që s’e ka marrë as statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ky hap i radhës kërkon vendim unanim të Këshillit Europian dhe mosnjohja nga pesë prej 27 shteteve anëtare të bllokut, premton një proces shumë të ndërlikuar.
Shqipëria të martën e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian – një moment historik, siç e vlerësoi kryeministri Edi Rama.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha ai në një konferencë të përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto dhe komisionarin për Zgjerim, Oliver Varhelyi në Luksemburg.
Ditë të paharrueshme e konsideroi Rama 15 tetorin, ndërsa shprehu bindjen se deri në vitin 2030, Shqipëria “do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel”.
Shqipëria, e cila priti disa vjet për këtë, ka para vetes një proces më të shpejtë, ndërsa i afrohet BE-së.
Hapja e kapitullit të parë të negociatave e ka zyrtarizuar ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e anëtarësimit. Të dyja vendet për të cilat vendimet merreshin paralelisht, tash nuk janë më në një paketë.
Rama tash shpreh thjesht keqardhje që rruga e Maqedonisë së Veriut është bllokuar nga Bullgaria, e cila e ka vënë kushtin e përfshirjes së minoritetit bullgar në preambulën e Kushtetutës maqedonase, në mënyrë që vendi të lëvizë më tej drejt BE-së.
Metodologjia e re e zgjerimit përcakton fillimisht hapjen e grupit të parë të kapitujve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe progresi këtu do ta diktojë procesin e mëtejshëm negociator. Hapat e tjerë, përfshijnë mbylljen e kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim, marrjen e pëlqimit nga Komisioni Europian për anëtarësimin; më pas Këshilli Europian duhet ta miratojë vendimin, BE-ja dhe Shqipëria duhet ta nënshkruajnë traktatin për anëtarësim dhe secili vend anëtar ta ratifikojë atë.
“Tani ne kemi në dorë ritmin e këtij rrugëtimi”, thotë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. “Jam shpresëplotë për progresin dhe suksesin”.
Urimin e parë nga Kosova e dërgoi fillimisht presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se “Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë avancimin në rrugën e BE-së, që është thelbësore për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, jo vetëm për rajonin, por gjithë Europën”.
Pasdite, kryeministri Albin Kurti tha se Shqipëria po fillon “një kapitull të ri e vendimtar” për integrimin në BE.
“I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Ndërsa përmendi se edhe Kosova ndan të njëjtin qëllim, ai tha se nga rrugëtimi i Shqipërisë “do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”.
Kosova e fundit në rajon, s’është as vend kandidat
Kosova e ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që t’i jepet statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Kurti ishte të hënën në Gjermani për samitin Procesit të Berlinit, nga ku kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen iu tha se “ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit”.
Atyre iu tha se vendi ka shënuar “rritje të jashtëzakonshme ekonomike” në vitet e fundit.
“Kancelar Scholz, Presidente von der Leyen, pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë”, tha Kurti në këtë samit. Kërkoi që vendit t’i njihet përparimi dhe “të arriturat”. Kjo, ai tha se “afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”.
Edhe në Bruksel në shtator, Kurti tha se “ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë” dhe të “marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës”.
“Të tilla janë njohja nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe marrja e statusit të vendit kandidat dhe pyetësorin për anëtarësim”, tha ai në një diskutim në Qendrën Europiane për Politika për rrugëtimin europian të vendit.
Kosova më 15 dhjetor 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së e pati pranuar aplikimin, por më askush nuk e ka shqyrtuar atë.
Kosovës, e cila qëndron më së largu nga vendet e Ballkanit Perëndimor, i kërkohet të përqendrohet në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si rrugë e pashmangshme për t’u përshkuar drejt BE-së. Ndërkohë, vendi aktualisht është nën sanksione nga BE-ja, të cilat u vendosën vitin e kaluar pasi s’po i përfillte aleatët për disa veprime në veri të vendit.
Që Kosova të arrijë deri aty ku është Shqipëria tash, ka para vetes shumë hapa/procese, veç çështjes komplekse të dialogut me Serbinë. Komisioni Europian fillimisht duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim. Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin e Kosovës si vend kandidat. Këshilli Europian duhet ta caktojë datën për nisjen e negociatave, duhet të nisë harmonizimi i ligjeve të Kosovës me ato të BE-së e tek më pas të hapet kapitulli i parë në negociatat për anëtarësim.
Kosovës mund t’i duhen vite të tëra vetëm për ta fituar statusin e vendit kandidat, marrë parasysh edhe përvojat e vendeve të rajonit. Për t’u përmendur këtu është fakti që Shqipërisë iu deshën 5 vjet që ta merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim (2009-2014).
Ky status i jepet një vendi me vendim unanim të Këshillit Europian. Mosnjohja e Kosovës nga pesë prej 27 shteteve anëtare të BE-së, e ndërlikon edhe më shumë këtë proces.
S’ka “magji”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka kërkuar reflektim nga institucionet, në një fjalim të tij në Samitin për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë, më 25 shtator. Ai tha se nga bisedat që ka, befasohet nga një “sugjerim i padeklaruar” se “ekziston një rrugë tjetër përveç dialogut”.
“Është një sugjerim se amerikanët, apo gjermanët apo njerëzit tuaj favoritë do ta përdorin shkopin magjik dhe t’i bëjnë bisedat e duhura dhe këto probleme do të zgjidhen dhe Kosova do të jetë menjëherë anëtare me të drejta të plota e NATO-s, anëtare e plotë e BE-së dhe gjithë të tjerat. Bota nuk funksionon kështu dhe unë duhet të jem i qartë për këtë”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan ironizoi duke thënë se nëse SHBA-ja do të ishte Perandoria Romake, “do ta shihnim Kosovën të integruar plotësisht tani në institucionet europiane dhe atlantike” dhe se “Serbia do të ishte pajtuar me realitetin”. Por tha se duhet punë nga institucionet e vendit.
“Kjo është ajo që ne duam, por unë nuk shoh se si bëhesh anëtar i BE-së pa pajtimin e BE-së, dhe kjo do të thotë pajtim nga shtetet anëtare të BE-së. Nuk shoh se si bëhesh anëtar i plotë i NATO-s pa pajtimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Siç e dini të gjithë, disa nga ato shtete ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e Kosovës multietnike sovrane, të pavarur dhe demokratike që e kemi. Ju duhet t’i bindni ata. Ne duam të ndihmojmë”, tha ai.
Hovenier e përmendi një thënie të gjyshit të tij, që u cilësua si mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe më së paku diplomatik për Qeverinë e Kosovës.
“Gjyshi im kishte thënë një fjalë një herë – dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar të saj paksa – se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit”.
Hovenier tha se çdo qeveri në Kosovë duhet t’ua japë aleatëve argumentet më të mira, që ata të ndihmojnë në anëtarësimin e saj në institucionet euroatlantike.
“Ne duam ta mbështesim Kosovën në integrimin e saj europian dhe euroatlantik. Ne kemi bërë shumë. Presidentë, sekretarë shteti, ambasadorë, të tjerë… Sepse ne i njohim aspiratat, aspiratat shumë legjitime të popullit të Kosovës për ta arritur atë. Ne duam të ndihmojmë. Kërkojmë nga çdo qeveri e Kosovës të na i japë argumentet më të mira të mundshme, municionin më të mirë të mundshëm në këto bisedime. Sa më shumë që mund të tregojmë – një demokraci sovrane, multietnike, të begatë e të suksesshme – aq më e lehtë është”.
Ambasadori tha se presin që si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, “të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha detyrimet që kanë hyrë në dialog”.
“Presim që ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier.
Bashkimi Europian e thekson vazhdimisht rëndësinë e rezultateve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për përparimin e të dyja vendeve në rrugën e tyre europiane.
Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që s’e ka marrë as statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Përveç, Shqipërisë, negociatat për anëtarësim në BE i kanë të hapura edhe Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina e kanë statusin e vendit kandidat.