Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për Kosovën: Akuza të pabaza, s’mund ta rishkruani historinë

0
96

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar, pas pretendimeve të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila ka hedhur akuza për pastrim etnik të serbëve në veriun e Kosovës.

Në një komunikatë zyrtare, MEPJ i konsideron këto pretendime si fabrikime të pabaza dhe thekson nevojën për bashkëpunim dhe pajtim rajonal.

Rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit”, thuhet në komunikatën e MEPJ.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh keqardhje për përpjekjet për të rikthyer tensionet dhe për të përdorur histori të kaluara për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës, duke rikujtuar ngjarjet tragjike të vitit 1999 dhe shkaktarët e vërtetë të tyre. “Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.”

MEPJ thekson se pretendimet e Serbisë mbështeten mbi një raport tashmë të diskredituar dhe që nuk përmban prova faktike, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë historike.

Në këtë frymë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh bindjen e saj se vetëm përmes pajtimit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit mund të ndërtohet një Ballkan i sigurt dhe i zhvilluar.

“Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet – një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane”.

Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, duke u ofruar fqinjëve miqësinë dhe përkushtimin e saj për një të ardhme të përbashkët.

“Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”.

Deklarata e plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 7 tetor 2025

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes. Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.

Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.

Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.

Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here