Në Shqipëri asgjë e papritur:
Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe , sipas rezultateve mbi 30 përqind të votave të numëruara , PS- ë , lexo Edi Rama po udhëheqin me rezultat të thellë prej thuaja 53 përqind e që përkthyer në mandate janë 83 deputetë. PD – ë është shumë larg pritjeve ndonëse kishte pajtuar për afërsisht 6 milionë euro strategun e fushatës së Trampit , Chris La Chivitta i cili edhe nuk bërë ndonjë punë për të përmendur. Duket se Berisha angazhimin e La Civitta për udhëheqje të fushatës e kishte vetëm si një pretekst , qëllimi kryesor ishte heqja e non gratës për te dhe familjarët. La Chivitta i rrou paratë dhe nuk ia hoqi non grattën ende . Rezultati i deritashëm e që nuk do të ndryshojë shumë e përjashton PD – në nga vendimmarrja duke ia siguruar PS – së, bashkë me ndonjë votë opozitare shumicën absolute vendimmarrëse për çdo nismë ligjore e deri te ndryshimi i ligjeve dhe Kushtetutës. Është një autokraci e Edvin Ramës , unë do të thoja konstruktive. Përcaktimi im politik është kombëtar – nacionalist normal dhe , sipas kësaj nuk do të duhej ta përkrah fitoren e Ramës. Mirëpo , Shqipëria është mbi të gjitha , Rama ka ndërtuar një infrastrukturë rrugore më të mirën në Ballkan , madje mund të krahasohet me vendet më të zhvilluara. Autostrada në Thumanë , autoudha Shëngjin – Velipojë , tuneli në Llogara dhe autoudha përcjellëse sikur edhe zgjerimi i rrugës ( autostrada ) Elbasan – Librazhd janë vetëm disa perla në xherdanin që i kishte munguar më parë. Zhvillimi i turizmit po konkurron me vendet që kanë traditë dhe qëndrueshmëri e që më parë as që imagjinohej. Tirana po e merr pamjen e një metropoli evropian dhe botëror. U zgjerua aeroporti në Tiranë , u hapë aeroporti në Vlorë. Krimi i organizuar dhe korrupsionit po luftohen si kurrë më parë falë BKH dhe SPAK . Është e rëndësisë së jashtëzakonshme se nga të arrestuarit dhe të hetuarit shumica janë të PS – së apo të afërt me pushtetin dhe Edi Rama në asnjë rast nuk i ka mbrojtur siç e bënë në Kosovë Albin Kurthi me fanatizëm dhe kundër çdo logjike. Në planin e procesit të integrimeve evropiane Shqipëria po ecën me një dinamikë të shpejtë . Ndër veprimet më të drejta , si shtetërore ashtu edhe kombëtare është mbrojtja e pakompromis që Rama i bënë UÇK – së dhe liderëve të saj që po mbahen peng atje : Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi , Kadri Veseli , Rexhep Selimi dhe të tjerët , të dënuar apo që e presin gjykimin. Në planin ekonomik dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarë Shqipëria duhet të bëjë më shumë dhe pikërisht ky mandat do ta bëjë këtë . Aktualisht opozita nuk paraqet asnjë rrezik për Ramën përkundrazi , me këtë trend vetëm do t’i ndihmojë Ramës dhe PS – së qëndrim të gjatë në pushtet. Para dy mandateve Sali Berisha është dashur të largohet nga politika aktive dhe t’i lë vendin një lideri të ri të liruar nga hipoteka e së kaluarës. PD – ë , me një lider të profilit dhe mendësisë së reformuar , nëse nuk do t’i kishte fituar zgjedhjet e 11 majit, së paku do të kishte një rezultat shumë të përafërt me PS – në, do të bëhej faktor përcaktues edhe për qeverisjen , edhe për Shqipërinë. Kështu, PD – ë po mbahet peng nga biologjia përkatësisht gjerontologjia , pa mundësi të dalë nga ky kurth që vet e ka kurdisur. Partitë opozitare si Mundësia , Shqipëria bëhet mund të forcohen pas këtij mandati kurse partia e Tom Doshit do të mbijetoi sa të zgjasë klientelizmi. Lulëzim Basha po siguron pushtet në hapësirë të një karrikeje ku do ta vendosë prapanicën e tij , aq i mjafton. Shqipëria nuk bëhet Madhështore me Fredi Belera dhe hajdutë të tjerë , Shqipëria bëhet Madhështore me ata që e zhvillojnë Shqipërinë ! Urime Shqipëri , urime Edvin Rama mandati i katërt , plotësisht i merituar. Shqipëria mbi të gjitha !
Kosova e lodhur nga politikanë së koti:
Për herë të 14 – të dështoi themelimi i Kuvendit të Kosovës. Në botë po ndodhin zhvillime dramatike , u zgjodhë Papa Leo Messi i 14- të. Bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë po gjejnë zgjidhje me imponimin agresiv të presidentit Tramp. U arritë një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit. U arritë një marrëveshje midis Kinës dhe SHBA – ve për taksa. Çështja e Tajvanit tani përtani nuk paraqet rrezik për sigurinë botërore. Situata në Siri po mbahet nën kontroll kurse në Gaza po kryhen krime kundër njerëzimit me të gjitha elementet e gjenocidit. Kosova nuk është askund, askush nuk merret me Kosovën , madje as armiqtë , sa të parëndësishëm jemi bërë. Në shkrimin e fundit paralajmërova se më shpejtë do të zgjidhet Papa, se Lenka Haxhiu kryetare e Kuvendit. Ashtu ndodhi , Papa kaloi , Lenka mbeti në fik. Është një situatë absurde e kryeneqësisë , as pozita nuk do ta bëjë qeverinë e as opozita. Askujt nuk i duhet qeveria me 61 – 62 vota . Po të kishte një opozitë që sheh përtej hundës së Dimalit , menjëherë pas certifikimit të rezultatit do ta votonte kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë Kurti 2.0. Do të ishte qeveri e pakicës absolute që do të rrëzohej kur do të donte opozita. Opozita do të duhej t’i jepte Kurthit 4- 5 vota që të përfundojë themelimi i institucioneve dhe , pas kësaj t’i kthehej veprimeve opozitare. Qeveria do të mbetej me 57 vota aq sa po votojnë për Lenkën sot. Kurthi dhe LVV – ë kanë gënjyer brutalisht ; asnjëherë nuk i kanë pasur votat e domosdoshme për Kuvend dhe qeveri . Në këtë gjendje që është Kosova , gjëja më e fundit që i duhet opozitës është formimi i qeverisë. Nuk ka konsensus në radhët e opozitës për formim të qeverisë , LDK – ë e do postin e kryeministrit , PDK – ë nuk e lëshon këtë post ! LVV – ë në përgjithësi e Albin Kurthi, në veçanti , po ta mirëmbanin higjienën orale të komunikimit duke respektuar edhe standardet minimale të moralit dhe mirësjelljes , sot do të ishin në koalicion me njërën nga partitë e mëdha shqiptare . Edhe sot vazhdojnë me të njëjtin diskreditim të opozitës madje thuaja se i bëjnë si anëtarë të Listës Serbe dhe argatë të Vuçiqit. Dhe kush e bënë këtë , një seksere që është zënë duke komunikuar me LS – në kundër UÇK- së dhe veteranëve të luftës , Mimoza Kusari dhe Zonja me Kamelie – Subvencione . Duhet të jeni , së paku i çmendur ( me letra ) e të thoni se opozita , bashkë me LS – ën dhe Vuçiqin janë kundër Kurthit , Lenka Haxhiut , LVV – së dhe Kosovës. Në LVV – ë , madje në pozita të larta ka të tillë që posedojnë këso letra nga institucionet shëndetësore të Tiranës dhe vendeve tjera. Në bazë të paraqitjeve kehtësisht identifikohen. Lenka Haxhiu nuk dorëzohet, ngrihet nga hiri i saj pasi Albini e ka futur në zjarr. Albin Kurthi tha se Lenka Haxhiu duhet të votohet , jo se ka integritet të duhur profesional dhe politik por se qenka mbesa e Ahmet Haxhiut , një shok i Adem Demaçit e që e paska ndihmuar UÇK – në duke dërguar armë në Drenicë. Albin Kurti fare pak e njeh Ahmet Haxhiun dhe nuk ka kredibilitet të flasë për te. Është e vërtetë se Ahmet Haxhiu ka qenë shok i jetës dhe idealit i Bacë Adem Demaçit dhe se ka qenë patriot i madh dhe njeri i jashtëzakonshëm. Është e vërtetë se ka qenë gjyshi i Lenka Haxhiut dhe këtu përfundon tregimi. Lenka Haxhiu është krejtësisht e kundërta e Bacës Ahmet Haxhiu të cilin e njoh tepër – tepër mirë . E njohin mirë të gjithë ata që kanë qëndruar afër Ahmet Haxhiut , deri në kohën kur iku në amshim në vitin 1994 e që janë luftuar pamëshirshëm , deti në asgjësim pikërisht nga Kurthi dhe Lenka. Më gjerësisht për këtë një herë tjetër. Opozita nuk e ka detyrim t’ia bëjë votat pozitës sidomos kur nuk ka marrëveshje dhe vullnet politik . Opozita nuk ka asnjë detyrim të sigurojë vota për pozitën nëse trajtohet në mënyrë aq shpërfillëse siç po ndodhë tani. Si të dilet nga kjo situatë ? Shumë lehtë nëse opozita ” humbjen ” taktike sot e bën për një investim strategjik për të ardhmën . Në mungesë të kësaj , LDK – ë ka propozuar një qeveri të transicionit por se është refuzuar edhe nga LVV – ë si dhe nga PDK -ë . Menjëherë pasi u vërejtën shenjat e ngërçit të qëllimshëm pata propozuar që partitë shqiptare të takohen dhe ta gjejnë një konsensus kombëtar , politik dhe shtetëror deri sa të përmbyllet procesi me Serbinë e pas kësaj të shkohet në zgjedhje. Në këtë mënyrë do të forcohej pozicioni negociues , do të ndahej përgjegjësia e mundshme dhe zbatimi do të ishte më i qëndrueshëm. Partitë e pakicave do ta kishin vendin dhe rolin e tyre pa pretenduar se me 100 apo 3000 vota të fituara mund të vendosin për procese të rëndësishme që e presin Kosovën. Partitë opozitare dhe pozita nuk e duan këtë , pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje . Si zgjidhje e ndërmjetme , në mungesë të bashkëpunimit për koalicione të qëndrueshme , partitë parlamentare mund ta nënshkruajnë një marrëveshje mirëkuptimi për themelim të Kuvendit dhe menjëherë pas themelimit të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Ose , të formohen edhe Kuvendi dhe qeveria e pastaj opozita të kërkojë mocion të mosbesimit të qeverisë. Presidenten Vojsa Osmani nuk e pyet kush ” sa kushton pazari i qenve ..”. Gjykata Kushtetuese e jepë mbase një drejtim por as Albini e as Lenka nuk e pranojnë vendimin e GJK nëse nuk iu shkonë ” për qime të kokës dhe interesit “. Në situata minimalisht normale Lenka Haxhiu do të duhej të ndjehej e turpëruar që është refuzuar 14 herë po në situata kur shndërroheni në marionetë , pa dinjitet dhe pa integritet , shifra e refuzimit është vetëm numër , pa asnjë vlerë dhe përgjegjësi. Zoti e bëftë mirë , kur krijesa e Zotit , as nuk dëshiron e as nuk mundet ta bëjë mirë.
Mirë do të bëhet :
Megjithatë mirë do të bëhet , jo për Realin por për Barcelonën. E dërmuam Realin , thuaja me lojtarë të Akademisë , ende pa fituar të drejtën e votës. Realisht , me emra , Reali dhe City janë ekipet më të mira në botë , pakundërshtueshëm më të mira. Vetëm me emra, as me lojë e as me rezultate. Realit nuk i ndihmoi as Mbape fenomenal, as lojtari i 12 , referi Hernandez e as daja VAR. U tregua se nuk është i fortë daja VAR sa daja i Vetëvendosjes !
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online