Shqipëria është e vendosur të çojë përpara në Këshillin e Evropës, përpjekjet e saj për të miratuar një Rezolutë të dytë, mbi atë të ish-senatorit zviceran Dick Marty, mbi bazën e të cilit janë ngritur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në lidhje direkte nga Tirana për emisionin “RTK Prime”, tha se tashmë nënshkrimet me iniciativën e Shqipërisë në KiE, janë mbledhur.
Gjithë këtë proces gjyqësor, Balla e cilësoi si një teatër.
“Gjithë ky teatër që vazhdon mbi dëshmi e dëshmitarësh të manipuluar, duhet të marrë fund”, tha Balla, sipas të cilit, në këtë rast kemi të bëjnë me dëshmitarë që kanë qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit, sikurse rasti me një të tillë në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës.
“Prandaj detyra jonë, nën dritën e fakteve të hetuara, duhet çuar përpara që kjo gjykatë duhet të zhbëhet”, tha Balla, duke shtuar se Shqipëria ka mbledhur firmat e nevojshme për ta proceduar këtë Rezolutë.
“Duhet të kesh firma nga pesë vende të ndryshme, jo më pak se 20, por kemi mbledhur shumë më shumë”, tha deputeti shqiptar.
Ai u shpreh se nga të gjitha kontaktet e realizuara, nga kryeministri Rama, nga ai si deputet por edhe nga Partia Demokratike në opozitë, duhet folur me të gjitha vendet anëtare të KiE.
“Të përfitojmë nga rasti që edhe Rusia nuk është më aty dhe ta çojmë përpara drejtësinë meqë ka rënë baza e Rezolutës mbi të cilën është krijuar Gjykata Speciale e ajo bazë kanë qenë pretendimet për trafikim organesh”, u shpreh ai.
Deputeti Balla tha se të gjithë duhet të kuptojnë se jemi para një fakti që kjo rezolutë e parë e Dick Martyt është sponsorizuar nga Rusia.
“Rusia, edhe në momentet e para pas përpjekjeve për të pushtuar Ukrainën, u munduan ta bëjnë të njëjtën gjë duke akuzuar ukrainasit për trafikim organesh”, tha Balla, duke shtuar se tashmë kjo është një lojë e vjetër ruse.
Ligjvënësi shqiptar tha se Shqipëria ka bërë hetimet e saj. “Personalisht kam biseduar me prokurorin shqiptar që ka hetuar pretendimet për të ashtuquajturën Shtëpinë e Verdhë. Prokurori ka konkluduar se nuk bëhet fjalë që në atë shtëpi apo ahurin e asaj shtëpie, kanë ndodhur raste të tilla”.
Balla deklaroi se tani është kjo gjykatë, për shkak të atyre pretendimeve të Martyt. “por tani kanë rënë ato akuza dhe kjo gjykatë duhet zhbërë”.
Sipas tij, kanë ndodhur gjëra qesharake, sepse të akuzosh zëdhënësin e UÇK-së se ka kryer krime apo përfaqësues politik se kanë kryer krime, kjo është teatër.
“Me 11 tetor 2022, kryeministri Rama i është drejtuar KiE dhe ai fjalim i kryeministrit së paku në aspektin moral, ka qetësuar zemrën e çdo shqiptari. Por, ai ka qenë episodi i parë i një përpjekje diplomatike për të zhbërë rezolutën e sponsorizuar nga Rusia e çuar përpara nga senatori zviceran”.
Deputeti Balla tha se është bërë përpjekje që me këtë gjykatë, t’i konsiderojnë shqiptarët si qenie që paskan marrë pjesë në një kanibalizëm të tillë në fund të shekullit 20, gjë që nuk ka ndodhur.
“Por në fund të fundit, kundërshtarët tanë ia kanë arritur qëllimin që të hedhin baltë mbi dinjitetin dhe epopenë më të rëndësishme të historisë sonë si komb”.
Balla tha se nuk heziton ta cilësojë se lufta e UÇK është në të njëjtën vlerë si shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemali apo lufta e Skënderbeut.
“Këtu nuk bëhet fjalë për katër shqiptarë që janë në gjykatë, por po dëmtohen Shqipëria e shqiptarët, sepse po mundohet të ndotet lufta çlirimtare”.
Ai tha se kjo gjykatë, nuk ka mandat për të hetuar vrasjet e shqiptarëve mes vete, por për trafik organesh mbi të cilën është ngritur.
“Nëse nuk ka fakte për trafikim organesh, mbylle, sepse vrasjet nëse kanë ndodhur mes shqiptarëve, i gjykon gjykata në Kosovë”.
“Katër të akuzuarit kanë qenë partnerë të forcave të NATO-s, dhe nëse duhet gjykuar ata, duhet gjykuar tërë NATO-n”, tha Balla.
Sipas tij, është e turpshme për Gjykatën që të vazhdojë këtë teatër për vetë faktin se premisat për trafikim organesh tashmë kanë rënë.