Shqipëri e Sylvinhos po bëhet gjithnjë e më shumë ‘braziliane’, teksa edhe pse thjesht një miqësore, ndaj Bullgarisë vjen një tjetër gol spektakolar nga distanca.
Këtë herë ishte Ernest Muçi, që pasi studiou nga pankina Asanin e Bajramin për disa ndeshje radhazi, si një nxënës i mirë, tregoi se mund të shënojë edhe ai gola spektakolarë.
Një goditje perfekte nga më shumë se 25 mera distancë, që përfundoi në cepin e portës së Bullgarisë, vulosi suksesin 2-0 të Shqipërisë, që më herët kishte zhbllokuar sfidën me një tjetër aksion të bukur, të finalizuar nga Qazim Laçi.
Kjo ishte ndeshja e pestë radhazi me fitore në “Air Albania” dhe e pesta pa pësuar gol për kuqezinjtë…
Ishte një ndeshje miqësore, ku natyrisht që skuadra tregoi se ka ende shumë elementë për të përmirësuar, por Sylvinho mori një tjetër konfirmim, që talenti dhe cilësitë teknike te kjo Shqipëri nuk mungojnë dhe madje janë me bollëk në të gjithë repartet./SS