Sami Mazreku nga Byroja Kosovare e Sigurimit deklaroi se të paktën 22 mijë aksidente janë regjistruar viteve të fundit nga veturat e paregjistruara dhe pa sigurim. Ai tha në SOT të KTV-së të hënën se dëmet e aksidenteve nga këto vetura kapin vlerën e 60 milionë eurove, ndërsa tha se kjo nënkupton se shumë qytetarë s’i kanë regjistruar veturat.
“Është paraparë themelimi i Fondit të Kompensimit nga Byroja dhe ky financohet nga kompanitë e sigurimeve. Pra, çdo kompani që merr licencë në Bankën Qendrore të Kosovës në mënyrë automatike bëhet anëtare e BKS-së, e pos biznesit që ushtron ka edhe detyrime shtesë. Janë gjithsej 60 milionë euro dëme, kjo i bie që qytetarët po dalin në trafik pa sigurim dhe pa regjistrim, mirëpo e kanë keqkuptuar se mendojnë se me pagesën e dënimit prej 150 eurove ka përfunduar çdo gjë”, deklaroi ai.
Mazreku tha se pos pagesës së dënimit, rastet shkojnë për trajtim në BKS-ja e më pas edhe në gjykatë, ku gjoba mund të rritet. Nëpërmjet kësaj nisme, Mazreku tha se po synohet të ndihmohet Policia e Kosovës dhe të bëhet identifikimi i automjeteve pa regjistrim.
“30 mijë qytetarë janë siguruar vitin e kaluar. Janë vetëdijesuar, ata e kanë kuptuar se s’ka më tolerancë. Kemi më pak se 5 për qind të automjeteve të paregjistruara. Pos Serbisë, këtë problematikë kanë nisur ta shohin edhe vendet e tjera”.