Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar një mashtrim që po i ndodh bashkatdhetarëve me një link që merr para në emër të Fondit për Siguri të FSK-së.
Në njoftim bëhet me dije se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Kosovës.
“Njoftojmë të gjithë bashkatdhetarët se linku https://donorbox.org/fsk-donation , i raportuar së fundi nga bashkatdhetarët në SHBA, nuk ka të bëjë asgjë me donacionet për Fondin e Sigurisë së FSK-në dhe është mashtrim. Rikujtojmë se e vetmja formë për donacion për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) është nëpërmjet llogarisë bankare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, llogari për Fondin e Sigurisë”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë në mars të vitit 2022, ku qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë përmes një xhirollogarie bankare.