Dukuria e cilësuar si “brain drain, në fakt ka të bëjë me dukurinë e shpërnguljes apo ikjes të kuadrove të reja elitike nga vendi që posedojnë njohuri dhe dije shkencore me standarde të pranuara ndërkombëtarisht në të gjitha nivelet akademike e shkencore, pra lëvizjen apo zhvendosjen e resurseve humane në të cilat vendi amë ka investuar dhe shpenzuar në përgatitjen e tyre profesionale, është shumë shqetësues dhe brengosës! Këtu se kam fjalën për ato kuadro që pregaditjet e tyre shkollore i kanë marrë ad hoc dhe që kanë shprehur në një mënyrë dëshirën për t’u shpërngulur jashtë vetëm sa për të marrë diploma dhe pregaditje të duhura, por për kuadrot që në mënyrë sistematike i kanë identifikuar prirjet e tyre të veçanta për lëmi specifike dhe natyrisht kanë investuar mjaft mund dhe kohë për të fituar primatin e cilësuar si “wonder child në shoqëri.
Sociologjia e arsimit (ku mjerisht ende nuk kemi ekspert kompetent) ka arritur të identifikoj tre lloje apo tipe të shpërnguljes së trurit: një, që ka të bëjë me shpërnguljen e këtyre elitave të reja nga vendet e pazhvilluara në ato të super të zhvilluara; tjetri i vendeve të tranzicionit në vende të zhvilluara dhe: ai i vendeve të zhvilluara në vende të zhvilluara (ani pse ky tipi i fundit mund të konsistohet edhe si një lloj qarkullimi ndërkombëtar i resurseve njerëzore).
Në Sociologjinë e dijës koncepti “Brain drain”-it, ose “shpërnguljes së trurit”(për dike edhe: ikjes apo largimit, zhvendosjes apo edhe fluktimit) si kapital apo si resurs potencial njerëzor, prej një vendi në një vend tjetër, vetëm e vetëm për të siguruar një kualitet më të sigurt të jetës dhe profesionit, në fakt në shumë vende dhe shtete të rajonit dhe të botës mund të ketë arsye dhe pretekste të ndryshme të marrjes së përmasave alarmuese, duke filluar prej atyre: politike (mungesa e një konsolidimi permanent e institucioneve dhe kapaciteteve shtetërore); ekonomike (shkaku i krizës dhe pamundësisë së mbijetimit); sociale (varfërisë permanente), etj. Shkaqet e largimit, shpërnguljes apo si thuhet shpesh kullimit të trurit të një vendi, apo shteti kujtojë duhet kërkuar edhe në: diferencat e mëdha të pagave që jepen për të njëjtën punë (psh. një mjek në Shqipëri apo Kosovë, nuk e kalon 1000€, ndërkaq në në Gjermani ai mund të marr edhe pesëfishin!): pasiguria ekonomike (përplitja për ta përthekuar buxhetit familjar)dhe ngjarjet e ndryshme politike (krimi dhe korrupsioni kulminant): menaxhimi i perfeksionuar dhe i dëshmuar i punës që e bënë me dëshmi dhe certifikim ndërkombëtar: pastaj njohja e gjuhëve të huaja që mundëson komunikim pa kufij të dijes dhe kapitalit: debalansi mes resurseve njerëzore të pajisura me diploma ndërkombëtare të njohura dhe të certifikuara dhe kërkesës për ta në tregun e punës së atij vendi, etj.
Si shkaqe mund të merren një konglomerat i tërë që ndikojnë në një mënyrë apo tjetër në shpërnguljen e këtyre kuadrove të përgatitura me dije dhe aftësi dalluese nga të tjerët. Por, për të kuptuar këtë tendencë të “brain drain” made in Albania e Kosova, do të ishte mirë të analizohen edhe ca shkaqe me soecifike, ngase për pasojat tash për tash ende nuk mund të konstatojmë asgjë. Këto shkaqe, do të mund të përmblidheshin kryesisht në; kushtet e dobëta të shkollimit që aktualisht ofron sistemi ynë i shkollimit, grupimet apo koncentrimet tejet të larta të studentëve nëpër institucione arsimore, procesin e seleksionimit dhe të pranimit pa kritere të duhura të kontingjenteve të reja që rekrutohen nga nivelet e ulëta ato të mesme dhe të larta shkollore, pastaj kujtojë në të ardhurat jo mjaftë stimuluese, si edhe në paperspektivën që këto kontingjente të reja të rinjsh që e shohin pas përfundimit të sistemit shkollor në punësim. Natyrisht, këtë shkaqe janë përmbledhur vetëm në vija të trasha, ngase në vija më të holla do të duhej një studim më i thellë fizibiliteti për këtë çështje. Pra, dukuria e “ikjes së trurit kombëtar” (national brain drain) shkaku i dështimit të sistemit tonë arsimor është tejet kërcënues dosido edhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës. Sot, mbi 50% te studentëve tanë janë të gatshëm të ikin nga Kosova shkaku i shkollimit të dobët që atyre u ofrohet në vend. Dukuria e “ikjes…”, është dukuri që është evidentë në të gjitha shoqëritë, bile edhe në ato të zhvilluara (problemi i studentëve të medicinës në gjermani, ai finlandez me shkenca shoqërore, etj), por në Kosovë gjithsesi ka disa specifika dhe disa dimensione tjera që kujtojë se gjithë neve duhet të na bëjë të shqetësohemi dhe të mendojmë thellë për (pa)perspektivën e këtyre gjeneratave që u ofrohet në sferën e shkollimit të lart…
Shkruan: Fadil MALOKU, sociolog dhe profesor Universitar
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online